Vritet një grua amerikane gjatë një proteste në Bregun Perëndimor

2 months ago 24

Ushtarët izraelitë e kanë vrarë një grua amerikane gjatë një proteste kundër vendbanimeve izraelite në Bregun e uzurpuar Perëndimor të premten, thanë një dëshmitar dhe dy mjekë për Associated Press.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, konfirmoi vdekjen 26-vjeçares, por nuk tregoi nëse ajo u qëllua nga trupat izraelite.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë duke mbledhur informata për rrethanat e vrasjes së saj dhe se do të komentojnë më hollësitë më vonë.

Miller dhe mjekët të cilët i dhanë tretman e bënë të ditur emrin e saj, organizata për të cilën ajo punonte vullnetare – International Solidarity Movement – tha se familja e saj ka kërkuar që ajo të mos identifikohet.

Ushtria izraelite tha se është duke i shqyrtuar raportimet se trupat e saj e kanë vrarë një shtetase të huaj duke shtënë ndaj “një nxitësi të dhunës” në zonën e protestës.

Gruaja që u qëllua për vdekje po merrte pjesë në një demonstratë javore kundër zgjerimit të vendbanimeve. Këto protesta kanë qenë të dhunshme në të kaluarën. Para një muaji, qytetari amerikan Amado Sison u qëllua në këmbë nga forcat izraelite, sic tha, duke tentuar të ikë nga gazi lotsjellës dhe të shtënat.

Jonathan Pollak, një izraelit që po merrte pjesë në protestë gjithashtu, tha se ajo u vra në qytetin Beita në veri të Bregut Perëndimor. Ai tha se i pa dy ushtarë izraelitë mbi një çati të një shtëpi duke ua drejtuar armët grupit të protestuesve dhe duke shtënë.

Ai tha se pastaj e “pashë atë të shtrirë në tokë, pranë një peme, duke derdhur gjak për vdekje”.

Dy mjekë thanë se ajo u qëllua në kokë – Ward Basalat, i cili i dha ndihmën e parë asaj në vendin e ngjarjes dhe Fouad Naffa, drejtor i Spitalit Rafidia ku ajo u dërgua.

“Ne u përpoqëm ta shpëtonim qytetaren amerikane, u përpoqëm t’ia ringjallnin zemrën disa herë, por fatkeqësisht nuk ia dolëm”, tha Naffa për Associated Press./rel

Read Entire Article