“Zgjedhorja”, vendim për herësin, ekspertët: Quhet i rrëzuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

4 months ago 21
Reklamë

Nga Enkelejda Mema 

Ndryshe nga opozita, mazhoranca në tryezën e ujdisë për “zgjedhoren” nuk synon ndryshime kushtetuese për hir të kodit elektoral. Pa u diskutuar, Partia Socialiste i doli kundër propozimit kryesor të “Rithemelimit” për të rikthyer koalicionet me listë të përbërë.

Nuk është e vetmja kërkesë për të cilën deri më tani PS deklarohet jo. Edhe propozime të tjera të shumicës së demokratëve si votimi me detyrim apo riformatim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë kundërshtuar.

Për të vetmen çështje për të cilën politika duhet të gjejë zgjidhjen është herësi. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë dhe tani PS dhe PD duhet të vendosin sesi do të përllogaritet mandati i kandidatit për deputet në parlamentaret e 2025-ës

Për Andon Kume, ekspert për çështjet zgjedhore zgjidhja më e mirë është:

“Vota preferenciale duhet të jetë e pakushtëzuar nga ndërhyrje në kodin zgjedhor për të minimizuar efektin e saj. Për deri sa kjo votë preferenciale është vënë si kërkesë e qytetarëve që të shprehin preferencat e tyre për kandidatët për deputetë, lista duhet të jetë 100 për qind e hapur dhe pasi të administrohet vota preferenciale, lista të ribëhet, të rirenditen kandidatët për deputetë dhe kush ka marrë më shumë vota, ai të shpallet fitues”, tha eksperti pwr çwshtjet zgjedhore, Andon Kume.  

Lista të hapura, pra ku nuk ka rëndësi nëse je i pari apo i fundit, por karrigen e deputetit e fiton ai që merr më shumë vota e kërkon “Rithemelimi”. Shumica socialiste ende nuk e ka ndarë mendjen për herësin, për të cilin Andon Kume thotë se “skenari” i dytë është ai i zbatimit të kushtetutës.

“Opsione të tjera duke mbajtur listat e hapura dhe votën preferenciale ka. Për shembull, kushtetuta thotë të paktën 2 të 3-at e listës duhet të jenë të hapura dhe kjo i jep mundësinë legjislatorit tonë që të bëjë ndryshimet përkatëse dhe 1 e 3-ta e parë e listës të jetë e mbyllur pra të mos influencohet nga vota preferenciale dhe pastaj kandidatët që renditen pas 1 të 3-ës së parë të luftojnë për votë preferenciale”, tha Kume.

Ndryshimin e masës së herësit, pra që ai mos të jetë 10 mijë vota siç ishte në parlamentaret e 2021-it, por më i ulët nga 5 deri në 7 mijë, për ekspertët zgjedhorë ai ka rënë.

“Në gjykimin tim, përderisa Gjykata Kushtetuese është shprehur kundër herësit, nuk mund të ketë më herës”, tha Kume.

Fundi i qershorit është lënë nga dy violinat e para të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi që të arrihet një ujdi për ndryshime në kodin elektoral. Përveç kërkesave politike, janë edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR për një administratë apolitike, një kontroll më të mirë të financimit të fushatave elektorale apo mosshfrytëzimin e shtetit për partinë në pushtet./vizionplus.tv

Read Entire Article