Mëngjesin e kësaj të shtune qyteti i Elbasanit është zgjuar nën “pushtetin” e reve të tymit. Që prej orëve të para të mëngjesit fusha e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit është përfshirë nga flakët, të cilat janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë.
Zjarri ka vijuar për disa orë, ndonëse 20 efektivë dhe 5 mjete të zjarrfikëses së Elbasanit u vunë në funksion të izolojnë vatrën, ndërsa në ndihmë u ofruan edhe zjarrfikëse të bashkisë Cërrik.
Tymin e dendur dhe erën e rëndë nga djegia e mbeturinave era i ka shpërndarë në lagjet përreth Elbasanit, duke krijuar një shqetësim të madh për banorët e zonës. Ata shprehen të shqetësuar pasi ky nuk është rasti i parë që zona ndotet.
Shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, por Partia Demokratike pretendon se është i qëllimshëm.
Prej kohësh, inceneratori i Elbasanit ka ndërprerë procesin e përpunimit dhe djegies së mbetjeve, duke bërë që fusha e plehrave të mbushet tej mase. Ky landfill është përfshirë nga flakët disa herë gjatë dy viteve të fundit, dhe për shuarjen e zjarreve janë angazhuar zjarrfikësit, emergjencat dhe forcat ushtarake.