A ndiheni i braktisur nga PD dhe Sali Berisha: Do skarcohen hipokritët dhe të kapurit nga regjimi

4 hours ago 23

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një intervistë për “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, duke folur nga burgu “313” ka folur për marrëdhëniet mes tij dhe Sali Berishës tashmë që janë të dy të izoluar.

I pyetur nëse ndihet i tradhtuar nga Berisha dhe PD, ai tha se ka komunikim të përditshëm me kryedemokratin, dhe se opozita do të dalë nga kjo gjendje edhe më e fortë.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Zoti Meta jeni ndjerë i braktisur nga Partia Demokratike? A keni pasur komunikim me Sali Berishën përmes personave të tretë? Tashmë që motorët e fushatës janë ndezur dhe pse jo zyrtarisht, cilat do jenë lëvizjet e Ilir Metës nga qelia? A do kërkoni ju të jeni në lista të përbashketa me PD?

Meta: Jam në komunikim të vazhdueshëm me z.Berisha për të fuqizuar veprimin opozitar sa më shumë. Partia e Lirisë do vazhdojë përgatitjet e saj dhe unë jam çdo ditë në komunikim me Sekretarin e Përgjithshëm, z.Tedi Blushi dhe drejtuesit e tjerë për të ecur me agjendën tonë të organizimit për zgjedhjet që po vijnë. Ne e kemi programin tonë, 5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus. Tani kryefjala është organizimi në terren. Po kështu qëndrimi i prerë ndaj të gjithë të kapurve peng nga SPAK-u e regjimi është i domosdoshëm për të çliruar energji pozitive. Përpjekjet mafioze të grupit që ka kapur peng SPAK-u për të manipuluar forumet e Partisë së Lirisë dhe për të blerë e shantazhuar anëtarët e Kryesisë dhe Komitetit Drejtues Kombëtar do përfundojnë në koshin e plehrave bashkë me skenarin e orkestruar nga Edi Rama për të goditur Tedi Blushin si përfaqësuesin më të përkushtuar të Partisë së Lirisë pas Ilir Metës për kauzën tonë madhore të sovranitetit dhe si dëshmitarin kryesor të aferës së Detit nga Edi Rama dhe sivëllai i tij pa vulë. Partia e Lirisë do të bëhet një kështjellë më e madhe dhe më e fuqishme e mbrojtjes së sovranitetit të popullit dhe të shtetit, si edhe kundërshtare edhe më e ashpër e Narkoregjimit sorosist. Këlyshët dhe këlyshet e SPAK-ut të krijojnë partiçka fake që i bëjnë fresk SPAK-ut. Partia e Lirisë është në luftë me Narkoregjimin sepse i kanë rrëmbyer në mënyrë kriminale Presidentin e saj. Por jo vetëm për këtë, por se kanë marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe minojnë çdo ditë interesat kombëtare dhe publike.

Borakaj: Ju keni deklaruar në media se do ta shkatërroni SPAK-un nga qelia, si do ta arrini qëllimin?

Meta: Është e sigurt se në këtë vend nuk do të shkatërrohet as pluralizmi politik dhe as do të shuhet atdhedashuria.

SPAK me Dumanin në krye do hyjë në histori si një organizatë sorosiane në shërbim të mafies ndërkombëtare me qëllim shkatërrimin e sovranitetit të popullit shqiptar të shtetit tonë. Lej Feni i “Drejtësisë së Re” do ketë vendin e tij në histori duke ia kaluar edhe “heroit” botëror kundër korrupsionit, Dvoranit, që Edi Rama e la vetëm me 7 vota për në Gjykatën Kushtetuese. Tradhtarët i përdorin të gjithë, por edhe i përbuzin të gjithë dhe pastaj i flakin me kënaqësi. Partia e Lirisë do të dalë shumë më e fortë dhe e fuqishme nga kjo betejë. Do skarcohen hipokritët dhe të kapurit nga regjimi dhe do të afirmohen qëndrestarët dhe patriotët.

Read Entire Article