Bizneset e turizmit duan para, operatorët: Mbështetje sa paga minimale për punëtorët gjatë mbylljes së aktivitetit

2 hours ago 14

Një kërkesë e vazhdueshme e subjekteve turistike për të pasur punëtorë gjithëvjetëorë dhe jo vetëm sezonalë, pritet të marrë zgjidhje. Në përgjigje të shqetësimit të tyre, Ministria e Turizmit propozoi subvencionimin e bizneseve për muajt që mbyllin aktivitetin.

“Ne jemi falenderues, por problemi është se kur do të implementohet, kur do të kthehet në ligj. Ne do të bëjmë përpjekjet tona që të ndodhë sa më shpejt. Kjo ka të mirat e veta sepse ndikon në stabilizimin e sektorit, kryesisht të hotelerisë, të punonjësve të këtij sektori, gjatë sezonit dimëror ata janë të detyruar t’i largojnë nga puna punonjësit. Edhe ata që e mbajnë të hapur biznesin gjatë dimrit, reduktojnë numrin e punonjësve, që të mbijetojë në atë sezon dimëror. Një pjesë e mirë e hoteleve mbyllen dhe kanë një staf që duhet ta largojnë nga puna”, tha Rrahman Kasa, nga Unioni turistik shqiptar.

Grupet e interesit sugjerojnë që mbështetja të jetë në formën e pagës minimale.

“Ne kemi kërkuar një subvencionim nga ana e shtetit, duke marrë shembuj vendet e rajonit, si Greqia, që i paguan me pagë minimale punonjësit gjatë muajve të mbylljes. Për të rritur të ardhurat që nuk mjaftojnë nga paga minimale, të punojnë part time në vende të tjera në këtë sektor. Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri, por ky duhet të jetë punonjës stabël i atij subjekti. Gjatë periudhës që biznesi ka aktivitet, do të jetë paga reale, sipas marrëveshjes”, tha Kasa.

Strukturat e reja dhe të mëdha janë ato që hasin më së shumti vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore, çka përkthehet në një shërbim jocilësor për turistët.

“Ne kemi sugjeruar që edhe pas shkollës së mesme, për disa nga profesionet më të kërkuara të shtojmë 1 vit ose 2 vjet shkollë pas shkollës së mesme, që të dalin njerëz të kualifikar që do të integrohen mirë për shkak të formimit të tyre profesional. Kemi sugjeruar edhe që të shkurtohet program mësimor që studentët të kenë një kohë më të gjatë që të integrohen në sektorin e turizmit dhe të plotësojnë nevojat e këtij sektori gjatë pikut”, shtoi Kasa.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2023 ishin 42.698 individë të punësuar direkt në sektorin e turizmit. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit raporton se 2.900 nxënës janë të regjistruar në programet e hoteleri-turizmit në shkollat publike profesionale, ndërsa 2.312 studentë ndjekin studime të ngjashme në institucionet e arsimit të lartë./vizionplus.tv

Read Entire Article