Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar në Stamboll me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – para se kryediplomati amerikan të udhëtonte për në Greqi.
Blinken ka nisur më 6 janar një turne, që përfshin ndalesa edhe në Izrael dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ky është turneu i katërt që Blinken zhvillon që nga nisja e luftës Izrael-Hamas tre muaj më parë, teksa është rritur frika se konflikti mund të përfshijë Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Blinkeni do t’i bëjë presion Izraelit që të rrisë ndihmën për palestinezët dhe të kalojë në një fazë të luftimeve që do t’iu mundësonte të zhvendosurve që të nisin të kthehen në shtëpitë e tyre.
Zyrtari shtoi se shumica e diskutimeve me liderët arabë do të fokusohen në frenimin e dhunës dhe se si mund të qeveriset Rripi i Gazës pasi të përfundojë lufta.
Stambolli kishte shërbyer si bazë për udhëheqësit politikë të Hamasit deri në sulmet ndaj Izraelit që lanë të vrarë 1.200 persona dhe që nxitën luftën. Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë, mbi 22.000 palestinezë janë vrarë.
Pas nisjes së luftës, Turqia u kërkoi liderëve të Hamasit që të largohen nga shteti.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është shndërruar në një prej kritikëve më të mëdhenj të ofensivës izraelite në Gazë për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe dëmeve të mëdha. Ai po ashtu ka kritikuar Uashingtonin për mbështetjen që i jep Izraelit.
Erdogan e ka krahasuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me liderin nazist, Adolf Hitler, dhe e ka akuzuar SHBA-në se po sponsorizon “gjenocidin” ndaj palestinezëve.
Lidhur me takimet e Blinkenit në Turqi, Ministria e Jashtme turke lëshoi një deklaratë të shkurtër dhe tha se gjatë takimit të kryediplomatit amerikan me homologun turk, Hakan Fidan, u diskutua “për krizën humanitare në Gazë, procesin e pranimit të Suedisë në NATO” dhe për çështjet dypalëshe e ato rajonale.
Ndërkaq, Presidenca turke ende nuk ka dhënë detaje për takimin mes Erdoganit dhe Blinkenit.
Nga Turqia, kryediplomati amerikan do të qëndrojë në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Më pas, të dielën dhe të hënën Blinken do të qëndrojë në Jordani, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryediplomati amerikan do të vizitojë javën e ardhshme Izraelin dhe Bregun e pushtuar Perëndimor dhe do të përmbyllë turneun e tij diplomatik në Egjipt./REL/