Vizion Plus zbardh të plotë dëshminë e Azgan Mërnicës, 23-vjeçari i akuzuar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia.
Në dëshminë e siguruar nga gazetari Esido Barkaj, Mërnica ka treguar se si ndodhi ngjarja dhe ku qëndroi i fshehur për 48 orë. Mesnatën e djeshme ai u vetëdorëzua në polici pas negociatave të familjarëve me RENEA-n.
Mërnica: Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe u shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke. Pastaj ika te daja dhe lashë makinën aty. Më pas u largova në këmbë në kanale. Kam lëvizur në këto kanale për 48 orë duke u fshehur. Po më hahej dhe bukë pasi kisha dy ditë pa ngrënë. Ika te shpija e dajës dhe këta kishin njoftuar policinë sepse kishin frikë se po më vriste RENEA. Pastaj më morën policët dhe më çuan në drejtori.
Arratia e te riut mori fund mbrëmjen e djeshme, kur pas 3 ditësh kërkime në disa zona të Fierit nga policia dhe forcat RENEA, ai u vetdorëzua në polici nga familjarët.
Këto janë momentet e filmuara nga vetë familjarët e të riut, që tregojnë 23-vjeçarin duke hipur në një makinë me disa të afërm dhe me një prej efektivëve që bëri negociatorin.
Azgan Mërnica është shfaqur i qetë dhe madje i buzëqeshur, ndërsa familjarët i jepnin kurajo.
“Hajde zoti para”.
Por jo vetëm kaq: në sy të policisë, familjarët i treguan se ata do t’i garantonin gjithcka edhe duke qenë pas hekurave.
Ne fillim të afërmit e të riut nuk kanë qenë bashkëpunues me policinë për ta bindur autorin të vetëdorëzohej, por pasi RENEA lokalizoi zonën ku ndodhej ai, i kërkuan familjarëve edhe njëherë të ndërhynin për dorëzimin në të kundërt ata do të vepronin sipas ligjit përsakohë ai kishte edhe armën e krimit me vete.
Fill pas kësaj, Azgan Mërnica u gjet në fshatin Dërmenas ku babai i tij dhe një nga efektivët, e bindën të riun të dilte vetë.
28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, për radhën e kalimit me makinë në një rrugë të ngushtë. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një plumb në kokë la të vdekur në vend efektivin.
Ndaj tij rëndojnë akuzat e ‘Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve’./vizionplus.tv