Ekspozita “Tako një Peshkatar”, në fokus, tradita e lashtë e peshkimit në liqenin e Ohrit

2 days ago 25

Ekspozita dhe dokumentari “Tako një peshkatar” sollën në vëmendje historinë dhe traditat e peshkimit në ujërat e Liqenit të Ohrit, një ndër pasuritë më të çmuara të rajonit.

Përmes dëshmive, fotove dhe objekteve autentike të peshkatarëve, arkitektja Diana Mile prezantoi jo vetëm procesin e peshkimit, por edhe llojet unike të peshqve që gjenden në liqen.

Peshkimi është më shumë sesa një zanat për këta njerëz; është një mënyrë jetese dhe një pjesë e trashëgimisë kulturore të zonës. Kemi përpjekur të ruajmë dhe pasqyrojmë çdo detaj të kësaj tradite përmes ekspozitës”, tha Diana Mile, arkitekte

Një nga aspektet më të veçanta ishte portretizimi i familjeve të peshkatarëve të Pogradecit, që kanë ruajtur këtë traditë brez pas brezi. Në ekspozitë ishte i pranishëm edhe piktori Anastas Kostandini, një figurë e njohur që jeton në një lagje buzë liqenit.

“Kjo zonë është zemra e qytetit, ku kultura dhe natyra bashkëjetojnë. Gjysma e banorëve këtu janë peshkatarë, dhe ky dokumentar tregon historitë e tyre të pazakonta”, deklaroi Anastas Kostandini, piktor

Edhe poetja Ana Kove, e cila ka gjetur frymëzim në peizazhin dhe jetën pranë liqenit, ndau emocionet e saj.

“Peshkimi dhe liqeni janë dashuri për pogradecarët. Ato përbëjnë një bashkëjetesë që i jep shpirt qytetit tonë”, tha Ana Kove, poete

Pas shfaqjes së dokumentarit, të pranishmit shijuan gatime tradicionale, përfshirë tavat e peshkut dhe pijet e zonës, duke përjetuar edhe më shumë kulturën lokale. /vizionplus.tv

Read Entire Article