Venko Filipçe, Sllavjanka Petrovska dhe Jovan Despotovski dorëzuan zyrtarisht kandidaturat për kryetarë të LSDM-së. Bashkë me kandidaturat, garuesit për postin më të lartë në parti dorëzuan edhe programet e tyre, mbi baza të të cilave kërkojnë mbështetjen e anëtarëve të partisë në zgjedhjet brendapartiake të 30 qershorit.
Ish ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, u zotua se nëse zgjidhet si kryetar do të punojë me përkushtim, dinjitet dhe profesionalizëm.
“Bëra një program që doli nga kërkesat e anëtarëve tanë. Mirë dhe me kujdes i dëgjova dhe akoma më mirë i kuptova. Thjesht në program vendosa gjithçka që duan anëtarët tanë dhe më besoni se mbi 90 për qind ata i kërkojnë gjërat e njëjta, transparencë, qasshmëri, ndërsa unë kështu kam punuar edhe më herët dhe planifikoj të vazhdoj edhe më tej”, deklaroi Venko Filipçe, kandidat për kryetarë të LSDM-së.
Ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale, Sllavjanka Petrovska tha se nëse zgjidhet për kryetare do të fokusohet në konsolidimin e radhëve brendapartiake në pajtueshmëri me kriteret dhe parimet e socialdemokratëve.
“Pas 24 vitesh anëtarësi aktive në LSDM, mbi baza të thirrjes për vetëkandidim kisha nderin që ta dorëzoj kandidaturën për kryetare të LSDM-së dhe së bashku me të e dorëzova edhe Manifestin për Demokracinë Sociale, programin tim… Në një pjesë të programit numëroj edhe prioritete urgjente që duhet t’i bëjmë e që do të bëjnë edhe me zgjedhjen e udhëheqësisë së re, në pajtueshmëri me parimet dhe kriteret që i ngjajnë lidhjes socialdemokrate…”, shpreh Sllavjanka Petrovska, kandidate për kryetarë të LSDM-së.
Ndërsa drejtori aktual i Drejtorisë së zonave zhvillimore teknologjiko-industriale, Jovan Despotovski, tha se nëse nuk zgjidhet për kryetar, nuk do të pranojë asnjë pozicion tjetër në parti.
“Ajo që dua ta theksoj e që është kyçe është se nuk do të flas. Unë asnjëherë në karrierën time profesionale nuk kam shpenzuar shumë kohë në fjalë. Gjithmonë flas për vepra, gjithmonë flas për hapa konkrete dhe suksesin dhe rezultatin, ose mossuksesin e matim përmes veprave konkrete. Vlerësoj se ky është dallimi kyç që më dallon nga kundërkandidatët e tjerë. Tek ne nuk flasim, tek ne do të punojmë dhe do të bëjmë veprime konkrete dhe hapa konkret për të gjithë anëtarët”, tha Jovan Despotovski, kandidat për kryetar të LSDM-së.
Zgjedhjet brendapartiake në LSDM, vijnë pas humbjes që partia pësoi në zgjedhjet e 8 majit dhe dorëheqjes së Dimitar Kovaçevskit nga posti i kryetarit.