“Investimet hungareze mbresëlënëse”, Rama në Budapest: 350 mln euro! Duam të shohim financime në turizëm

6 days ago 20

Kryeministri i qeverisë shqiptare, Edi Rama ditën e sotme ndodhej për një vizitë zyrtare në Hungari. Së bashku me homologun Viktor Orban mbajtën një konferencë për mediat. Orban shprehu mbështetjen e Hungarisë për Shqipërinë, ndërsa Rama u shpreh mirënjohës për atë që Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së ka bërë për vendin tonë.

Gjatë vizitës së stome u firmosën edhe dy marrëveshje të rëndësishme, një në bujqësi dhe tjera në fushën e administratës publike.

Shefi i qeverisë u ndal gjithashtu edhe tek investimet e huaja, sidomos ato të shoqërive tregtare hungareze në vendin tonë.

Edi Rama: Ne gjithashtu folëm për investimet dhe i thashë kryeministrit që ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që kompanitë hungareze, pra shoqëritë tregtare hungareze po investojnë, por gjithashtu edhe numri i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në shifra me euro që vijnë nga Hungaria është i pazakontë duke u krahasuar gjithnjë me vende që janë si Shqipëria në madhësi, pra bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro, që është një shifër vërtetë domethënëse për ekonominë tonë dhe është vërtetë mbresëlënës sa i përket performancës së një shteti si Hungaria, gjë që nuk e pret që ta kesh në vendin tënd, pra investime të huaja. Kështu që diskutuam se si mund të arrijmë edhe më shumë në këtë fushë.

Gjithnjë e më shumë turistë hungarezë po vizitojnë Shqipërinë. Vitin e kaluar, vendi ynë u vizitua nga 10 milionë turistë, ndërsa këtë vit, tha kreu i qeverisë, kjo shifër pritet të arrijë në 12 milionë.

Edi Rama: Turizmi është një objektiv për shembull dhe ne po shikojmë gjithnjë e më shumë qytetarë hungarezë që vijnë në Shqipëri për pushime. Në bregdetin tonë ky numër është rritur sërish në krahasim me vitin e shkuar dhe për momentin ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milionë turistë kishim vjet dhe sivjet shifra do të arrijë 12 milionë ose më shumë, me aeroportin që ka patur rritjen më të madhe në Europë dhe ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim dhe meqë ra fjala, Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez.

Nuk e shikojmë atë fare si kërcenim apo sikur do të na pushtojë dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia gjithashtu dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen e thellë kryeministrit Orbán për mbështetjen e tij të palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra. Si edhe dëshiroj ta falënderoj atë që gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor dhe me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja./vizionplus.tv 

Read Entire Article