“Jemi para të tjetrëve në betejën kundër korrupsionit”, Rama: Në vitin 2030 jemi në BE

3 hours ago 20

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar ‘podcasting’ me ministren e Shtetit për Administratën dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdenin për të shpjeguar momentin e hapjes së negociatave për kapitujt themelore dhe rrugën që duhet të përshkojë Shqipëria deri në anëtarësimin e plotë në BE. Shefi i qeverisë, Rama, beson se në harkun kohor të 6 viteve Shqipëria mund të hapë dhe përfundojë bisedimet për 35 kapitujt që janë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Jam i bindur 100%.”

Kryeministri Edi Rama ka analizuar disa prej sfidave kryesore me të cilat duhet të përballet Shqipëria për tu bërë anëtare e BE, duke nisur nga lufta kundër korrupsionit. Sipas liderit të mazhorancës vendi ynë është përpara vendeve të rajonit në betejën kundër korrupsionit edhe për shkak të reformës në drejtësi që u realizua në vitin 2016.

“Për herë të parë në historinë e këtij vendi, nga 1912 deri më sot, për herë të parë kemi persona të lidhur me pushtetin politik, me qeverinë në fuqi apo nga ata që ishin në qeveri në një raport shumë më të zhdrejtë se ç’duhet të jetë, që janë hetuar, nën hetim, të akuzuar, të dënuar nga Gjykata të pavarura nga pushteti politik. Si qenka kjo që nuk paskemi bërë progres dhe paska korrupsion gjithandej.”

Kryeministri Edi Rama sqaroi se komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj është ngritur pikërisht për t’i shërbyer procesit të integrimit, duke realizuar reformat e nevojshme.

“Ai komisioni që u bë në parlament, që u anatemua se do sulmojë SPAK-un, ai është pjesë e rrugës së Shqipërisë dhe kësaj shumice në korsinë e punës për të çuar këtë proces përpara. U ndërtua ky komision për t’iu përgjigjur me të gjitha forcat, për t’i shërbyer grupit që do të shkojë në Bruksel.”

Në 15 tetor Shqipëria hapi grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE, grup-kapitullin themelor i cili për shkak se përfshin shtyllat kryesore të një shteti nis i pari dhe mbyllet i fundit në momentin kur Shqipëria hyn në BE./vizionplus.tv

Read Entire Article