Moody’s: Ekonomia, e qëndrueshme, ministri Malaj: Vlerësimi pozitiv erdhi nga reformat, nxit investimet e huaja

3 hours ago 20

Për herë parë Shqipëria ka marrë një vlerësim për ekonominë që është një shkallë më lart nga vlerësimet e deritanishme dhe që njihet si “Ba3 e qëndrueshme”, nga “B1 pozitive” që ishte aktualisht.

Vlerësimi është bërë nga agjencia ndërkombëtare “Moody’s”. Kjo notë ka ardhur si pasojë e përmirësimeve të qëndrueshme ekonomike dhe fiskale thuhet në raport.

Ndërkohë agjencia pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë e qëndrueshme edhe sipas pasojë e financimeve nga Bashkimi Europian. Por çfarë do të thotë ky certifikim?

“Përfitimet për ekonominë e vendit do të jenë të rëndësishme dhe konkrete:  Rritja e vlerësimit do të sjellë ndikim pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte dhe besim të shtuar, si tek investitorët e huaj, ashtu edhe tek ata vendas. Shqipëria, do të përfitojë në daljet në tregjet ndërkombëtare, duke siguruar huamarrje me kosto më të ulët financimit, si për bankat, sipërmarrjen, ashtu edhe për individët. Pra, vlerësimi në rritje, në një gjuhë më të thjeshtë do të thotë “certifikim” ose garanci më e shtuar, se ekonomia shqiptare do të vijojë të jetë e qëndrueshme edhe në terma afatmesëm, “- tha ministri i Financave, Petrit Malaj.

“Moody’s” thotë gjithashtu se edhe investimet e huaja kryesisht në turizëm dhe energji do të luajnë një rol kyç për ekonominë e vendit, duke ndikuar që fuqia punëtore të orientohet drejt sektorëve më produktive.

“Ky vlerësim nuk ndodhi “brenda ditës”, por është reflektim i të gjitha reformave që qeveria “Rama” ka ndërmarrë në mënyrë të vazhdueshme, duke vlerësuar me kujdes, si mundësitë, ashtu edhe risqet. Në harkun kohor të 10 viteve, Prodhimi i Brendshëm Bruto, pothuajse u trefishua, nga 9.6 miliardë Euro në 2013 në 24.9 miliardë Euro në 2024. E po kështu edhe PBB për frymë nga 3,324 Euro në 2013 në 10,383 Euro në 2024. E ndërsa PBB e vendeve të rajonit u rrit me rreth 53%, ajo e Shqipërisë u rrit me rreth 80%.”

Më herët edhe agjencia “Standart &Poors” rriti vlerësimin për ekonominë shqiptare. Ndërkohë Shqipëria pritet të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për të kërkuar hua, e cila tashmë mund të behët më e lehtë dhe me më pak kosto edhe si pasojë e vlerësimeve të tilla./vizionplus.tv

Read Entire Article