Kreditë me probleme ranë përsëri në nëntor, zbritën pranë niveleve të një viti më parë

8 months ago 21
Reklamë

Raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të lehtë për të tretin muaj radhazi në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ra në 5.07%, nga 5.12% që kishte qenë në muajin tetor. Me këtë rënie, raporti i kredive me probleme zbriti afërsisht në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit 2022 (kur kishte qenë 5.05%).

Shifrat e deritanishme tregojnë se raporti i kredive me probleme nuk shënoi rritjen që pritej gjatë vitit të kaluar. Megjithëse të dhënat e muajit dhjetor ende nuk janë të gatshme, gjasat janë që ky tregues të pësojë përsëri rënie, për shkak se përpara mbylljes së vitit financiar bankat kanë tendencën të shpejtojnë procesin e nxjerrjes jashtë bilancit të kredive të humbura, sipas kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Mosrritja e raportit të kredive me probleme gjatë vitit të kaluar mund të shpjegohet me disa faktorë.

Forcimi i ndjeshëm i Lekut në kursin e këmbimit me Euron dhe shumicën e valutave të huaja ka ndihmuar në ruajtjen e aftësisë paguese të subjekteve huamarrëse me të ardhura në monedhën vendase. Kjo ka kompensuar edhe rritjen e normave të interesit për kreditë në valutë të huaj, që ka pasuar shtrëngimin e politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane dhe rritjen e ndjeshme të treguesit benchmark Euribor.

Ndërkohë, në monedhën vendase rritja e normave të interesit ka qenë mjaft e kufizuar gjatë vitit të kaluar. Madje, rënia e yield-ve të titujve qeveritarë ka bërë madje që normat mesatare të interesit të kredive në gjysmën e dytë të vitit të lëvizin në rënie.

Normat e ulëta të interesit në Lekë kanë favorizuar vijimësinë e kreditimit me ritme relativisht të larta në monedhën vendase. Deri në fund të nëntorit, Banka e Shqipërisë vlerësonte se rritja vjetore e kredisë në Lekë arriti në 9%, ndërsa rritja e portofolit total të kredisë, e zhveshur nga efekti negativ i kursit të këmbimit, arriti në 6%.

Pritshmëritë për rritje të raportit të kredive me probleme gjatë vitit 2023 mbështeteshin në ngadalësimin e rritjes ekonomike, rritjen e normave të interesit dhe në frenimin e kreditimit. Por, këta faktorë vitin e kaluar duket se u verifikuan vetëm pjesërisht.

Sipas të dhënave paraprake tremujore, ekonomia u rrit mesatarisht me rreth 3.3% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Megjithatë, shumë ekspertë mendojnë se rritja reale mund të ketë qenë më e lartë, sidomos në sektorët e lidhur me turizmin. Reflektimi zhgënjyes i vitit rekord të turizmit në shifrat e rritjes ekonomike, sipas ekspertëve, mund të shpjegohet në një masë të madhe me informalitetin e lartë të sektorit.

Ndërkohë, edhe rritja e interesave vitin e kaluar nuk vijoi me ritmet e vitit 2022, duke favorizuar një rritje të kreditimit me ritme të kënaqshme. /Monitor

Read Entire Article