Pavarësisht se kanë mbetur disa orë deri në funeralin e Alexei Navalny, ekipi i tij ka thënë se ata vazhdojnë të përballen me vështirësi në organizimin e ceremonisë së lamtumirës.
Zëdhënësja e tij Kira Yarmysh tha se ata nuk kishin mundur të gjenin një makinë funerali për ta çuar trupin në kishë.
“Njerëz të panjohur po telefonojnë agjenci funerale dhe i kërcënojnë që mos pranojnë të marrin trupin e Alexeit,” tha zonja Yarmysh.
Varrimi është planifikuar të bëhet të premten në Maryino, në periferi të Moskës.
Shërbimi i varrimit do të transmetohet gjithashtu në internet në kanalin e Navalny në YouTube.
Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus brenda Rrethit Arktik.
Është e paqartë se sa njerëz do të marrin pjesë në funeralin në Moskë të premten.
Fëmijët e Navalny, Daria, 23 vjeç dhe Zakhar, 15 vjeç, jetojnë jashtë vendit.
E veja e tij, Yulia, aktualisht mendohet se nuk jeton në Rusi, por mund të rrezikohet të arrestohet nëse kthehet për shkak të punës së saj me ekipin e Navalny dhe deklaratave të saj të fundit publike në të cilat ajo fajësonte presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e burrit të saj.
E veja e Navalny, Yulia tha në një fjalim të mërkurën se nuk e dinte nëse funerali do të ishte paqësor apo nëse policia do të arrestonte ata që erdhën për të thënë lamtumirë.