Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kërkoi “falje” qytetarëve izraelitë për faktin se gjashtë pengjet nuk u kthyen të gjallë në shtëpi dhe premtoi se Hamasi do të paguante një çmim të rëndë.
Në një konferencë për shtyp nga Tel Avivi, kryeministri izraelit tha gjithashtu se ai kishte folur me telefon me familjet e gjashtë pengjeve, trupat e të cilëve u gjetën nga Gaza gjatë fundjavës.
Netanyahu në fjalën e tij kërkoi “falje” për faktin se gjashtë pengjet nuk u kthyen të gjallë në atdheun e tyre, duke thënë: “Ishim afër, por nuk ia dolëm”.
Ai tha gjithashtu se Hamasi do të “paguante një çmim shumë të rëndë” dhe përsëriti se qëllimi i operacioneve ushtarake mbetet eliminimi i Hamasit.
Kryeministri izraelit mohoi se pengjet u vranë për shkak të këmbënguljes së Izraelit për të mbajtur kontrollin e rripit strategjik “Philadelphia” në Gaza.
“Kjo ndodhi sepse Hamasi nuk dëshiron një marrëveshje,” tha ai.
Kryeministri thuhet se urdhëroi qeverinë të përgatisë rekomandime brenda 48 orëve të ardhshme për një përgjigje të fortë ndaj Hamasit./vizionplus.tv