Një ushtar i vdekur dhe shtatë të plagosur nga bombardimet izraelite në Siri

2 hours ago 186

Agjencia zyrtare e lajmeve siriane SANA raportoi mëngjesin e sotëm se një “ndërtesë apartamentesh” ishte shënjestruar nga granatimet izraelite në lagjen Kafr Susa të Damaskut.

Gjithashtu u godit edhe një pozicion ushtarak afër Homsit (perëndim) ku një ushtar u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën.

“Rreth orës 03:40 (koha lokale), armiku izraelit nisi një sulm ajror nga hapësira ajrore e pushtuar siriane dhe nga veriu i Libanit, duke synuar dy lokacione në distriktin Kafr Susa në Damask dhe një instalim ushtarak afër Homsit”, tha një burim në ushtrinë siriane për SANA.

“Një ushtar” u vra dhe “shtatë të tjerë u plagosën”, shtoi burimi, duke folur edhe për “dëme materiale”.

Që kur shpërtheu lufta në Siri në vitin 2011, forcat e armatosura të Izraelit kanë nisur qindra sulme, shumica dërrmuese nga ajri, duke synuar kryesisht organizatat e mbështetura nga Irani, mbi të gjitha Hezbollahun, si dhe elementë të ushtrisë siriane dhe “këshilltarët” iranianë.

Autoritetet izraelite rrallë komentojnë rast pas rasti këto bombardime, por shpeshherë deklarojnë se nuk do të lejojnë Iranin, armikun e betuar të shtetit hebre, të zgjerojë praninë e tij në territorin sirian.

Pasi lufta në Rripin e Gazës u përhap në Liban në fund të shtatorit, bombardimet izraelite u përshkallëzuan më tej./vizionplus.tv

Read Entire Article