Sherrnaja e muajve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë mbërriti edhe në Bruksel në takimin e 17-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Pandeli Majko anëtar i delegacionit shqiptarë ka përcjellë shenja të zbutjes të qëndrimit të shumicës socialiste në raport me kërkesat e opozitës.
“Çështja e tetë komisioneve hetimore që ka bllokuar prej tre muajsh procedurat normale të parlamentit, ne jemi të gatshëm që të diskutojmë me kolegët tanë dhe të gjejmë një zgjidhje oportune europiane, tha Majko.
Gazment Bardhi pasi shpalosi një katalog me probleme në sjelljen e maxhorancës me opozitën në parlament, e vlerësoi këtë qëndrim Pandeli Majkos.
“Gjatë këtyre tre muajve të mungesës së funksionimit normal të parlamentit ne nuk kemi gjetur rrugën e dialogut apo dorën e shtrirë për dialog nga maxhoranca por kemi parë shtimin e masave agresive arrogante ndaj opozitës|, tha Bardhi.
Në këtë komitetet Jorida Tabaku kryetare e Këshillit Kombëtar të integrimit deklaroi se “Viti 2024 duhet të jetë viti i Shqipërisë për në BE”.
“Sot, ne duhet të jemi të gatshëm të luftojmë korrupsionin, mbështesim një demokraci në shërbim të reformave. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në nivele të larta jetike për integrimin. Parlamenti duhet të miratojë Komisionet Hetimore që kërkon opozita dhe ndryshojë Ligjin për Komisionet Hetimore me dakordësi të opozitës! Lufta kundër korrupsionit nis me një parlament në shërbim të qytetarëve”, tha Tabaku.
Hasani ministër i Punëve të jashtme dha një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve integruese të Shqipërisë por u ndal edhe në çështjet rajonale.
“Situata në Ballkanin Perëndimor është më shqetësuese se kurrë. Integrimi i rajoni në BE është vendimtar për sigurimin e stabilitetit. Shqipëria është në pritje të mbajtjes së Konferencës së dytë Ndërqeveritare me BE. Ne nuk e kemi humbur fokusin në agjendën e reformave të BE. Reforma në drejtësi vazhdon, kemi progres mjaft të mirë. SPAK ka marrë vendime të rëndësishme përfundimtare lidhur me zyrtarë të lartë shtetërorë. Presim të hedhim hapin tjetër në procesin e integrimit sa më shpejt”, tha Hasani.
Euro-deputeti grek Monolis Kefalogiannis, kreu i delegacionit parlamentar të BE në këtë komitet ka tentuar ta kanalizojë çështjen Beleri si një çështje europiane e jo mesh Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo ishte përgjigja e ministrit Igli Hasani.
“Takimi sot nuk është për çështje personale të dikujt. “Beleri” nuk është çështje evropiane por e organeve të drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria pret t’i bashkohet familjes së BE. Koha kur gjykatat trajtohen si përkatësi partiake ka mbaruar. Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave, përfshirë atë të drejtësisë”, tha Hasani.
Deputetja socialiste Blerina Gjylameti është zgjedhur zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Zgjedhja e Gjylametit, e cila është njëkohësisht dhe kryetare e Delegacionit shqiptar, u mor në mbledhjen e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Top Channel