Me afrimin e dimrit, qeveria kërkon nga prefektët e 12 qarqeve në vend që të marrin masa për të përballuar çdo situatë si pasojë e motit të keq.
“Ne do të qëndrojmë në kontakt, pasi po futemi në një periudhë e cila duhej të quhet ‘vjeshta e vonë’ tashmë, sepse jemi në prag të dimrit, megjithatë me ndryshimin e kushteve klimaterike kjo vjeshtë është zgjatur. Ndaj unë besoj që në javët në vazhdim do të kemi edhe fillimin e reshjeve nga të gjitha informacionet që kemi nga meteorologët e aviacionit civil, kështu që do të duhet një angazhim i të gjitha strukturave”, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Riorganizimi i Komisionit të Mbrojtjes Civile në Qark, përditësimi i planeve të emergjencave civile me ndryshimet e ndodhura, përditësimi i kontakteve dhe rrjetit të komunikimit, për të bërë lajmërimin e hershëm funksional, sensibilizimi i komunitetit për t’u përgatitur për vështirësitë e sezonit dimëror si dhe bashkëpunimi me të gjitha Agjencitë e Drejtoritë Rajonale, bashkitë në territorin e qarkut, si dhe me subjektet private për realizimin e detyrave, sipas udhëzimeve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Në një tryezë diskutimi në Fier, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku kërkoi nga prefektët të rishikojnë planet ekzistuese që lidhen me emergjencat civile.
“Ndryshimet klimaterike tashmë nuk po kursejnë askënd. Të gjitha njësitë, të gjithë prefekturat, duhet që të rifreskojnë planin e masave. Duhet të ketë një angazhim maksimal dhe koordinim me emergjencat civile”, tha Balluku.
Çdo qark, sipas qeverisë, duhet të ketë në terren makineri dhe forca të shtuara gjatë sezonit të dimrit./vizionplus.tv