Për mbetjet që ndodhen në 102 kontejnerët në Portin e Durrësit, autoritetet nuk kanë akoma një përgjigje nëse janë të rrezikshme apo jo. Deri në daljen e përgjigjes së analizave, ministrja Mirela Kumbaro bëri apel gjatë një debati me deputetin e PD Luan Baçi që të mos përhapet panik te banorët.
“Në Durrës kanë mbërritur mbetje toksike nuk kemi asnjë informacion. Çfarë problem sjellin këto mbetje toksike në portin e Durrësit, si do trajtohen ku do depozitohen”, tha Baçi.
“Nuk ka folur njeri për mbetje toksike. Është e pafalshme të hedhim në publik fjalë të cilat krijojnë panik. Fjala mbetje toksike nuk është në asnjë nga letrat që kanë qarkulluar. Çështja në fjalë është objekt I hetimit të Prokurorisë së Durrësit. Agjencitë e ministrisë por dhe të tjerat janë në bashkëpunim të plotë, kemi kryer veprime verifikuese. Sot që flasim siç e njoftoi ministri brendshëm është identifikuar vendi ku do të depozitohen të cilët janë të dyshuar si mbetje të rrezikshme jo toksike. Të dyshuara të rrezikshme të deklaruara nga subjektet si mall, të cilat janë nënprodukte metali që përdoren në rikuperimin dhe riciklimin e mbetjeve të kësaj tipologjie. Do të depozitohen si materiale të sekuestrua. Do ndiqen procedurat e duhura. Do presim veprimet që do bëj prokuroria”, tha ministrja Kumbaro.
“Kur janë të dyshuara rrezikshme, janë të rrezikshme këtu hynë edhe toksiket e rëndësishme është që ju nuk e keni këtë informacion”, tha Baçi.
“Nuk mund të interpretoni si të doni”, tha Kumbaro.
Gjatë diskutimeve në komision për projektbuxhetin e vitit 2025, ministrja Kumbaro tha se fondet e vëna në dispozicion për ministrinë që ajo drejton janë 8% më të larta se në vitin 2024. Përmes këtij buxheti synohet të mbështetet mes të tjerash pastrimi i plazheve dhe promovimi i turizmit./vizionplus.tv