OSBE: Diaspora të votojë në 2025! Palët ende pa dakordësi për çështjet kryesore të Reformës Zgjedhore

4 months ago 39

Nga Enkelejda Mema

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Michel Tarran iu drejtua politikës me apelin që në parlamentaret e 2025-ës diaspora të votojë nga aty ku jeton. Ai kërkoi nga parlamenti të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i njeh të drejtën  zgjedhësve me vendbanim jashtë vendit të shprehin vullnetin politik pa qenë e nevojshme të kthehen në vendlindje.

“Nuk ka standarte të përcaktuara në rajonin e OSBE dhe as rekomandime të OSBE-ODIHR në lidhje me votimin nga jashtë vendit, prandaj i takon secilit shtet të zbatojë atëmodel që i përshtatet më mirë kontekstit”, tha Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE në Tiranë.

Thirrja e OSBE vjen në një çast ku marrëveshja politike mungon. Pas dështimit të grupit të dialogut për “zgjedhoren”  Partia Socialiste depozitoi propozimet për ndryshime në kodin zgjedhor ku një nga pikat që kundërshtohet nga Partia Demokratike është:

“Vota e emigrantëve vritet në parim duke kërkuar njësoj si më parë që emigrantët votojnë vetëm nëse kanë një adresë të regjistruar në mënyrë të ligjshme në vendin ku ata kanë shkuar të emigrojnë. Të gjithë ata mijëra që kanë ikur në këto dhjetë vitet e fundit nëse nuk kanë një adresë nuk do ta kenë përsëri të drejtën e votës”, tha deputeti i PD Oerd Bylykbashi.

“Të presim deri në moment të fundit që ta bëjmë të mundur me konsensus poltik. Ne jemi të hapur dhe të bindur për t’i dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë të votojnë, prandaj dhe propozimi qëndron që të regjistrohen pranë KQZ-së”, shtoi deputetja e PS Blerina Gjylameti.

Dakordësia nga opozita nuk është as për herësin. Shumica socialiste propozon që ai në asnjë rast nuk duhet të jetë më i lartë se 7 mijë vota në të gjitha qarqet e vendit.

“Do të kishim gjetur një mekanizëm dhe një formulë që jo vetëm do të hapte listat, por do të garatonte dhe drejtësi dhe barazi të votës, në mënyrë që kandidatët të zgjidhen me një numër votash parapëlqyese dhe shqiptarët të kishin mundësi të votinin për aq kandidatë sa janë në zonën zgjedhore dhe jo në mënyrën e sforcuar siç e propozon sërish PS”, shtoi Bylykbashi.

Me reduktimin e ditëve parlamentare në dispozicion për të arritur një marrëveshje OSBE i bën thirrje PS dhe PD që nëse do të ribëjnë reformën zgjedhore ajo t’i përfshijë të gjithë.

“Çdo vendim qoftë në lidhje me hendeqet legjislative apo me normimin e elementëve praktike duhet të jetë prej konsensusit të gjerë”, përfundoi Tarran./vizionplus.tv

Read Entire Article