“Presim punëtorë të huaj”, biznesi mbështet nismën e qeverisë për të sjellë 40 mijë persona nga një shtet në Lindje

4 months ago 33
Reklamë

Biznesi i mirëpret negociatat që qeveria po bën për herë të parë me një shtet të huaj për të sjellë në Shqipëri afro 40 mijë punëtorë.

Sipas sipërmarrësve, me ndërhyrjen e qeverisë do të ofrohet më shumë siguri për qëndrimin e të huajve në vendin tonë.

“Ne jemi mbështetur privatisht në agjencitë e ndërmjetësimit, por jo gjithmonë ka rezultuar pozitive kjo eksperiencë sepse një pjesë e këtyre punëtorëve emigrant e kanë përdorur Shqipërinë si trampolinë dhe për ta mbyllur këtë histori jo suksesi, qeveria ka bërë lëvizjen e duhur për të ardhur në ndihmë të biznesit”, shprehet Florian Zekja, nga shoqata “Pro-eksport”.

“Ne kemi nisur iniciativa private për të sjellë punëtorë të huaj, që kanë ardhur, por është një mënyrë më e organizuar kjo nga qeveria. Nuk do të kemi më merakun që do të vijnë dhe do të përdorin vendin për të kaluar transit. Do jetë më e sigurt sepse ne po i marrim pozitivisht, por po i ruajmë nga mëngjesi në darkë për të kuptuar a kanë ardhur vërtet për punë apo për të ikur”, shprehet operatori turistik Vasil Bedinaj.

Megjithatë, bizneset thonë se kjo duhet të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe se në afatgjatë, duhet menduar për mënyrën si mund të mbahet fuqia punëtore vendase.

“Është një zgjidhje e domosdoshme për të dalë nga ngërçi ku gjendemi. Unë personalisht do të preferoja që të ishin të gjithë punonjësit nga Shqipëria. Kjo është një zgjidhje emergjente, por jo definitive sepse mendoj se në vitet në vijim duhet të hartohen strategji që mundësojnë që vendet në turizëm të plotësohen nga punonjës nga Shqipëria”, thotë Blerim Norja, operator turistik.

Referuar të dhënave, gjatë vitit që lamë pas afro 10 mijë shtetas që vinin nga Turqia, Egjipti, Filipinet, India apo Nepali u pajisën me leje pune, për të mbushur boshllëkun e biznesit vendas. /vizionplus.tv

Read Entire Article