Dy mundësit shqiptarë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, që i sollën dy medalje të bronzta Shqipërisë në Lojërat Olimpike Paris 2024, janë nderuar sot me Medaljen e Mirënjohjes nga Kryeministri Edi Rama. Në ceremoninë zyrtare mbajti një fjalë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi Ekipin Olimpik të Shqipërisë dhe i falenderoi të gjithë sportistët për përfaqësimin e denjë në Paris.
“Më kujtohet kur u betuan si shtetas shqiptarë, kur thanë ‘Betohem’ me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, dhe u bënë pjesë e ‘Team Albania’, duke përqafuar vizionin kozmopolitan të Tiranës sonë. Sot Tirana ka rezidentë nga 144 shtetësi, që do të thotë se, ashtu si shumë kombe të tjera janë në një gjueti të jashtëzakonshme talentesh, ashtu edhe Shqipëria duhet të jetë në gjueti talentesh”, tha Veliaj.
Ai shtoi se sot, Shqipëria e Edi Ramës dhe e skuadrës olimpike, është një Shqipëri tjetër, ndërsa theksoi se do të sigurohen të gjitha mundësitë për të pasur kushtet e duhura, që sportistët tanë të vazhdojnë të dalin më të mirët.
“Në 112 vite shtet, kjo është hera e parë që marrim medalje Olimpike. I kuptoj edhe cinikët, edhe ata që e komentojnë suksesin nga divani. Është shumë kollaj të bëhesh kampion nga divani. Për të gjithë ata që e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh, fillimisht, te 16 më të mirët në botë – Luiza e di fare mirë, po ashtu edhe Franko – ata që e fitojnë me meritë, tashmë janë te më të mirët e botës. Sot Shqipëria e Edi Ramës dhe e kësaj skuadre, që drejtohet nga Fideli, dhe e kësaj discipline, që drejtohet nga Sahiti, është komplet Shqipëri tjetër. Premtimi është të sigurojmë të gjitha mundësitë për të pasur kushtet më të favorshme për të qenë më të mirët”, deklaroi Veliaj./vizionplus.tv