PS jep dakordësinë për votimin elektronik në Durrës dhe Elbasan: Të aplikohet edhe në Qarkun e Tiranës

4 hours ago 24

Partia Socialiste ka dhënë dakordësinë e saj që në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës votimi elektronik të aplikohet në qarqet Durrës dhe Elbasan, sikundër propozon Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Gjithashtu PS propozon që votimi elektronik të aplikohet edhe në Qarkun e Tiranës.

Në një shkresë drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, PS shpreh dakordësinë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit dhe më tej rendisin arsyet pse duhet aplikuar edhe në Tiranë.

Letra e plotë:

I nderuar Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,
Me shkresën tuaj nr. 2948 Prot., datë 11.10.2024 jemi vënë në dijeni në lidhje me propozimin për zhvillimin e votimit elektronik, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, në qarkun Elbasan dhe Durrës.
Duke ju falenderuar për mundësinë e ndarjes së mendimeve rreth kësaj çështjeje me rëndësi specifike në procesin zgjedhor, Ju përcjellim propozimin si vijon:
Së pari, shprehim dakortësinë tonë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit.
Së dyti, kërkojmë që votimi elektronik të shtrihet dhe në Qarkun e Tiranës, për arsyet si më poshtë:
Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.
Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.
Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces.
Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësippër realizimin me sukses të këtij procesi.
Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi.
Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik.
Për të gjitha arsyet e parashtruata më sipër, propozojmë përfshirjen e qarkut Tiranë, krahas qarkut Elbasan dhe Durrës në zhvillimin e votimit elektronik.
Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës.
Me respekt,

SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE

DAMIAN GJIKNURI

/vizionplus.tv

Read Entire Article