“Puç i rëndë Kushtetues”, Bardhi letër Spiropalit: Kush e lejoi hyrjen e Forcave Speciale të Policisë në Parlament?

3 hours ago 66

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar i është Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, një letër ku kërkon një informacion të menjëhershëm se kush ishte autoriteti që dha urdhër dhe lejoi hyrjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në ambientet e Parlamentit.

Bardhi e ka konsideruar këtë akt si të paprecedentë dhe ka kërkuar që ti vihen të dispozicion të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë, në ambientet e brendshme dhe të jashtme të parlamentit.

Lexo edhe :

Related Posts

Bardhi e cilëson futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e Kuvendit si një puç të rëndë Kushtetues.

Kërkesa e plotë

Më datë 17.10.2024 gjatë zhvillimit të seancës plenare, në kundërshtim flagrant me nenin 122 të Rregullores së Kuvendit dhe ligjin për Policinë e Shtetit, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit kanë dhunuar, penguar dhe kanosur me jetë deputetët e opozitës brenda mjediseve të Kuvendit të Shqipërisë. Është dashur ndërhyrja e Gardës së Republikës (punonjësve të Shërbimit të Sigurisë së Kuvendit) për të mbrojtur deputetët nga agresioni brenda mjediseve të Kuvendit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit brenda mjediseve të Kuvendit, gjatë aktivitetit parlamentar, pengimi i deputetëve për të lëvizur në ambientet e Kuvendit prej tyre, kanosja me jetë e deputetëve të opozitës dhe cenimi i integritetit të tyre fizik, është një akti i paprecedentë në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kurrë në historinë e parlamentarizimit në Shqipëri, një Kryetar Kuvendi nuk ka lejuar futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Kurrë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri nuk ka ndodhur që Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të pengojnë një deputet të Kuvendit brenda mjediseve të tij.

Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit gjatë një aktiviteti parlamentar është një puç i rëndë kushtetues ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë dhe një provokim i pandodhur kurrë më parë ndaj opozitës. Për këtë arsye, kërkojmë të na:

– Informoni menjëherë se kush ishte autoriteti që dha urdhrin për futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë?

– Vini në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (përfshirë por pa u kufizuar: sallës plenare, korridoreve lidhëse të sallës plenare, hyrjes kryesore të Kuvendit, ambinteve të jashtme të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë).

Duke dënuar me forcë aktin brutal, të paprecedentë, të hakërrimit të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të opozitës në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, ju siguroj se ju personalisht dhe cilido tjetër që në mënyrë arbitrare urdhëroni Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të dhunojnë deputetët e opozitës, do të mbaheni përgjegjës për këtë shkelje të rëndë ligjore, që ka tiparet e një puçi kushtetues ndaj integritetit të Kuvendit të Shqipërisë. /vizionplus.tv

Read Entire Article