Presidenti rus Vladimir Putin, duke folur sot në Forumin Ekonomik Botëror në Shën Petersburg, tha se nuk kishte nevojë të përdoreshin armë bërthamore për të arritur fitoren e Moskës në Ukrainë.
Putin, forcat e të cilit kanë avancuar në lindje të Ukrainës muajt e fundit, ka thënë se nuk sheh asnjë justifikim për përdorimin e armëve të tilla dhe i ka kërkuar botës të ndalojë së foluri për armët bërthamore.
Por presidenti rus, i cili ka fuqinë më të madhe bërthamore në botë, tha se nuk do të përjashtonte ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë, e cila përcakton rrethanat në të cilat armë të tilla mund të përdoren.
Ai tha gjithashtu se nëse është e nevojshme, Rusia mund të kryejë teste të armëve bërthamore, megjithëse ai nuk e sheh të nevojshme ta bëjë këtë në këtë moment.
“Përdorimi është i mundur në një rast të jashtëzakonshëm, në rast të kërcënimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Nuk mendoj se ka ardhur një rast i tillë. Nuk ka nevojë tani”, tha Putin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.
“Por kjo doktrinë është një mjet i gjallë dhe ne po vëzhgojmë me kujdes se çfarë po ndodh në botën përreth nesh dhe nuk përjashtojmë disa ndryshime në këtë doktrinë. Kjo lidhet edhe me testimin e armëve bërthamore”.
Doktrina bërthamore e Rusisë
Doktrina bërthamore e publikuar në vitin 2020 përcakton rrethanat në të cilat një president rus do të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore: përgjithësisht si përgjigje ndaj një sulmi që përdor armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë, ose ndaj përdorimit të armëve konvencionale kundër Rusisë.
“Kur vetë ekzistenca e shtetit kërcënohet”.
“Nëse është e nevojshme, ne do të bëjmë teste. Deri më tani, nuk ka nevojë as për këtë.”
Presidenti i SHBA Joe Biden javën e kaluar lehtësoi disa kufizime në përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina brenda Rusisë, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga Moska e cila paralajmëroi për një përshkallëzim potencialisht të rrezikshëm të konfliktit.
Putin kishte thënë të mërkurën se ai mund të vendoste raketa konvencionale brenda rrezes së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë nëse ata lejojnë Ukrainën të godasë më thellë në Rusi me armë perëndimore me rreze të gjatë.
Ai tha gjithashtu se Perëndimi e kishte gabim kur supozoi se Rusia nuk do të përdorte kurrë armë bërthamore./vizionplus.tv