Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska mund të armatosë vendet me synimin për të sulmuar objektivat perëndimore.
Putin e bëri deklaratën duke kritikuar dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Perëndimi në Ukrainë, shkruan BBC.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kanë dhënë Ukrainës dritën jeshile për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Një veprim i tillë mund të çojë në “probleme shumë serioze”, u tha Putin gazetarëve.
“Nëse dikush mendon se është e mundur furnizimi me armë të tilla në një zonë lufte për të sulmuar territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse ne nuk kemi të drejtë të bëjmë të njëjtën gjë”, tha presidenti rus.
“Do të thotë, përgjigja mund të jetë asimetrike. Ne do të mendojmë për këtë.”
Ai nuk specifikoi se cilat vende mund t’i furnizojë Moska me armë.
Putin veçoi Gjermaninë, e cila kohët e fundit i tha Ukrainës se ishte e lirë të godiste objektivat brenda Rusisë me armë me rreze të gjatë të prodhimit gjerman.
“Kur ata thonë se do të ketë më shumë raketa që do të godasin objektivat në territorin rus, kjo shkatërron përfundimisht marrëdhëniet ruso-gjermane”, tha Putin.
Presidenti i SHBA Joe Biden i ka dhënë Ukrainës lejen për të përdorur armë të furnizuara nga Amerika për të goditur objektivat në Rusi, por vetëm pranë rajonit të Kharkiv. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Ukraina nuk mund të përdorë raketa ATACMS me rreze të gjatë veprimi në tokën ruse.
Ukraina ka përdorur armët amerikane për të goditur brenda Rusisë ditët e fundit, tha një senator amerikan dhe një zyrtar perëndimor për Associated Press të mërkurën.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron ka thënë se i takon Ukrainës të vendosë se si të përdorë armët britanike dhe këmbënguli se ajo ka të drejtë të godasë objektivat në territorin rus.
Ukraina thotë se raketat e Koresë së Veriut po përdoren brenda territorit ukrainas dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës thonë se Rusia ka përdorur drone të prodhuar nga Irani në konflikt.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022./vizionplus.tv