Putini takohet me homologun kinez: Boshti Pekin-Moskë faktor “stabiliteti dhe paqeje”

5 months ago 23

Presidenti kinez, Xi Jinping dhe homologu rus Vladimir Putin folën sot pë bashkëpunimin e ngushtë Pekin-Moskë si një faktor “stabiliteti” dhe “paqeje” në botë, ndërsa lideri rus shpreson në rritjen e mbështetjes kineze për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Marrëdhëniet Kinë-Rusi “nuk janë vetëm në interesin themelor të të dy vendeve dhe të dy popujve, por edhe në favor të paqes”, tha Xi Jinping pas një takimi me homologun e tij rus në Pekin.

“Kina është e gatshme të punojë me Rusinë…të ruajë objektivitetin dhe drejtësinë në botë.”

“Marrëdhëniet e sotme Kinë-Rusi janë zhvilluar me vështirësi dhe të dyja palët duhet të punojnë për mirëmbajtjen e raporteve”, shtoi ai.

Kjo marrëdhënie është “një faktor stabiliteti në skenën ndërkombëtare”, tha Vladimir Putin , sipas Kremlinit.

“Nuk është oportuniste dhe nuk është e drejtuar kundër askujt”.

“Së bashku, ne mbrojmë parimet e drejtësisë dhe një rend botëror demokratik që do të pasqyrojë realitete shumëdimensionale dhe do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare,” tha ai.

Pas takimit të tyre dypalësh, dy liderët nënshkruan një komunikatë të përbashkët për thellimin e “partneritetit gjithëpërfshirës strategjik kino-rus “, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua.

Vladimir Putin mbërriti në Pekin këtë mëngjes për një vizitë dy-ditore, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga rikonfirmimi e tij në mars dhe i dyti në Kinë në pak më shumë se gjashtë muaj.

Disa orë më parë Putini kishte shprehur dëshirën e tij për avancimin e ushtrisë ruse në Ukrainë.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, Pekini dhe Moska konsiderojnë se çdo vendim që do të kontribuonte “në zgjatjen e armiqësive dhe një përshkallëzim të ri të konfliktit” duhet të shmanget.

Një formulim që duket se synon evropianët dhe amerikanët, pasi Kina dhe Rusia thonë rregullisht se janë dërgesat perëndimore të armëve në Ukrainë ato që po zgjasin luftën.

Gjigandi aziatik është një mjet thelbësor ekonomik për Rusinë, e cila përballet me sanksione të rënda perëndimore.

Menjëherë pas kthimit nga një turne në Evropë, Xi Jinping mbrojti të drejtën e tij për të mbajtur lidhje normale ekonomike me fqinjin rus.
Kina përfiton kryesisht nga importet e energjisë së lirë ruse.

Duke folur me gazetarët së bashku me Xi Jinping , Vladimir Putin tha se ai është “mirënjohës” ndaj Kinës për iniciativat e saj për të sjellë paqen në krizën e Ukrainës, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Kina ka bërë thirrje herë pas here për respektimin e integritetit territorial të të gjitha vendeve (përfshirë Ukrainën), por gjithashtu ka bërë thirrje edhe për shqyrtimin e shqetësimeve të sigurisë së Rusisë./vizionplus.tv/

Read Entire Article