Sejko raporton për mikrokreditë, guvernatori pranon abuzimet me qytetarët dhe propozon ligj të ri

3 months ago 22
Reklamë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dha sqarime sot para Komisionit të Ekonomisë për aktivitetin e shoqërive që blejnë kreditë me probleme dhe për rastin e Microcredit Albania, një prej subjekteve të licencuara për këtë qëllim dhe që akuzohet për skemë mashtrimi.

Sejko deklaroi se momentalisht, pesë shoqëritë e licencuara kanë blerë kreditë me probleme për 63 mijë klientë, nga të cilët rreth 15 mijë i takojnë subjektit MicroCredit Albania. Shlyerja e këtyre kredive konsiderohet si një problem me pasoja sociale, por Banka e Shqipërisë shprehet se në pjesën dërrmuese të rasteve nuk ndërhyn dot.

“Sot janë 4 kompani që kanë portofolin, transit 16 mijë, final 16 mijë, mca 15 mijë, kompania tjetër 14 mijë klientë. Në total janë 63 mijë kredimarrës, klientë që i kanë blerë nga sistemi bankar. 90% e rasteve të kredisë me problemeve MCA janë në përmbarim, janë raste në përmbarim. Mendojmë se i njëjti numër është edhe me kompaninë Final, por po e verifikojmë. Jemi për ekzaminim”, tha Sejko.

“Në këto 32 mijë klientë që janë të MCA dhe Final, 90% janë në përmbarim dhe për këto, i bie afërsisht 29 mijë klientë, BSH nuk ka hapësirë ligjore për të ndërhyrë”, tha deputetja Blerina Gjylameti.

Për t’u ardhur në ndihmë kredimarrësve dhe për të mos rënduar më tej situatën me përmbaruesit në rastet kur kreditë nuk shlyhen, Sejko kërkoi ndërhyrje ligjore dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

“Të hartojmë në bashkëpunim me BB një ligj të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit, të përkthehen në ligje vendosjet e tavaneve për normat e interesit, dhe të jetë i sanksionuar me ligj kufizimi i masës së penaliteteve që i ngarkohen një kredimarrësi të kredisë konsumatore në 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Po përmbaruesit a kontrollohen a i shikoni ju? Të ndalojmë procesin dhe të ndihmojmë qytetarët nëse ka abuzim në përmbarim”,  u shpreh Sejko.

Guvernatori Gent Sejko shpjegoi se nevoja për të licencuar shoqëri për blerjen e kredive me probleme lindi pas krizës së viteve 2008-2010 dhe nivelit prej 25% që arritën kreditë e këqija. /vizionplus.tv

Read Entire Article