Sot shënohen 13 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestave të opozitës më 21 janar 2011.
Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi për të afërmit e tyre.
Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para Kryeministrisë.
Protesta degradoi në dhunë dhe përplasje ndërsa nga brenda Kryeministrisë u hap zjarr duke sjellë edhe bilancin tragjik me katër viktima.
Tubimi ndodhi pas publikimit të një video në emisionin Fiks Fare, ku Ilir Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti.
Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë mjet.
Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e Kryeministrisë, ndërsa policia mbronte godinën e brendshme.
Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh nga brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, u dërgua për kurim të specializuar në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.
Kryeministri i atëhershëm, Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, kishte vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë.
Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
Aktualisht ka vetëm një çështje në Prokurorinë e Tiranës, ajo e vrasjes së Aleks Nikës, teksa predha që e la atë të vdekur është dërguar për ekzaminim në Itali, ndërsa vrasja e tij, 13 vite më pas vijon të mbetet pa autor.
Top Channel