Të miturit në protestën e opozitës, Avokatja e Popullit: I papranueshëm përdorimi i tyre në tubime ku ka akte dhune

1 week ago 14

Aktet e dhunës në protestën e opozitës në të cilën u hodhën dhjetëra molotovë në drejtim të Kryeministrisë dhe institucioneve te tjera janë dënuar edhe nga Avokati i Popullit.

Në një intervistë për Vizion Plus, Erinda Ballanca tha se përdorimi i forcës, pengon që protestave t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë.

“Avokati i Popullit nuk mbështet dhe dënon veprimet e dhunshme në çdo protestë. Kjo cenon së pari të drejtën e qytetarëve të tjerë për të marrë pjesë dhe të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre të protestës, sepse në një mënyrë apo tjetrën i implikon edhe ata të cilët duan ta ushtrojnë këtë të drejtë në përputhje me ligjin”, tha Ballanca.

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin për përdorimin e të miturve në protesta të tilla ku hedhja e bombave artizanale është masive.

“Te pjesa e veprimeve të dhunshme ka pasur disa të mitur të cilët për shkak ndoshta edhe të natyrës, të moshës edhe të papjekurisë, disa veprime që ata kanë kryer sidomos në momentin ku iu afruan Parlamentin. Aty u vërejtën edhe këto veprime të cilat ishin veprime të drejtpërdrejta kundër pronës”, u shpreh ajo.

Prania e fëmijëve në protestë, rrit dyshimet se ata mund të përdoren nga persona të tretë.

“Çështja qëndron në keqpërdorimin, nëse ka apo jo keqpërdorim e të miturve, pasi të miturit konsiderohen një grup i cili ende nuk e ka koshiencën tërësore dhe të plotë për të moskuptuar që ata përdoren, apo keqpërdoren në raste të caktuara nga persona të tretë. Kjo përbën vepër penale dhe kjo sigurisht që është e dënueshme”, shtoi Ballanca.

Edhe eksperti i sigurisë Fatjon Softa apelon për një hetim për zbulimin e personave që nxitin të miturit në hedhjen e molotovëve.

“Është e paimagjinueshme që të marrësh ato mosha dhe ti përdoresh në protesta. Përdorimi i tyre për qëllime politike është e dënueshme. Ftoj institucionet që të hetojnë, jo vetëm këtë rast, por edhe rastet e tjera sa herë ka pjesëmarrje masive të fëmijëve se kush janë pas tyre dhe kush i organizon”, tha Softa.

Krahas veprës penale, të miturit rrezikojnë edhe jetën e tyre.

“E para i mësojmë dhunën dhe kultivojmë dhunën tek ata si një mjet për të arritur qëllimet. E dyta rreziku i tyre sepse janë lëndët Molotovë. Policia në sistemin e mbrojtjes së saj mund të përdori gaz lotsjellës apo lëndë kimike që janë shumë të dëmshme për shëndetin e tyre”, u shpreh ai.

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë disa të mitur, pasi ka dyshime se janë autor të hedhjes së molotovëve gjatë protestës ku për pasojë mbeten të plagosur 10 efektivë si dhe dy qytetarë. /vizionplus.tv

Read Entire Article