Holanda ka nisur votimin për zgjedhjet e përgjithshme europiane të cilat do të zhvillohen në një proces maratonë tre ditor.
Qytetarët iu janë drejtuar qendrave të votimit që prej mëngjesit ndërsa, Holanda i vetmi shtet që voton sot, do të shërbejë si një test i hershëm për të kuptuar se si do të zhvendoset parlamenti i ardhshëm europian. Sondazhet kanë treguar se trendi do të shkojë drejt të djathtës ekstreme.
Gert Wilders nga Partia e Lirisë, i cili fitoi zgjedhjet kombëtare pak muaj më parë, pritet të jetë më i votuar në vend.
Zgjedhjet do të vijojnë të premten me votime në Irlandë dhe Republikën Çeke ndërsa të gjitha vendet e tjera të bllokut do të shprehin vullnetin të shtunën.
Janë rreth 373 milionë shtetas europianë me të drejtë vote për të zgjedhur 720 deputetët e parlamentit të Strasburgut.
Ky është numri i dytë më i madhi zgjedhësve pas Indisë e cila numëroi më shumë se një miliardë votues në zgjedhjet që u mbajtën pak ditë më parë.
Megjithatë, pjesëmarrja tradicionalisht ka qenë mjaft e ulët.
Këto janë gjithashtu zgjedhjet e para europiane, pas Brexit kur Britania e Madhe u shkëput nga blloku.
Në 21 vende mund të votojnë shtetasit mbi moshën 18-vjeçare,në Belgjikë, Gjermani, Austri dhe Maltë, mosha minimale është 16-vjeçare ndërsa në Greqi do të mund të votojnë edhe shtetasit që kanë mbushur 17 vjeç në vitin zgjedhor.
Rezultatet në mbarë Evropën janë planifikuar të shpallen të dielën në mbrëmje, pasi të gjitha vendet evropiane të kenë përfunduar votimin. /vizionplus.tv