120 mijë biznese do të paguajnë për anëtarësim në shoqatë

7 months ago 26
Reklamë

Bizneset ndajnë mendime të ndryshme sa i përket anëtarësimit me detyrim në Dhomën Kombëtare Ekonomike. Ajo që i bën bashkë thuajse të gjithë është fakti që sipërmarrja ka nevojë që të unifikohet, ndërsa pagesa me detyrim shihet nga bizneset si një takse shtesë. Florion Zekja, i ftuar në “E-ZONE”, tha se ka nevojë emergjente që biznesi të unifikohet. Thuajse në çdo sektor ka disa shoqata, duke krijuar kaos me nivelin e përfaqësimit.

“E rëndësishme është që të jetë një kuotë dhe jo një taksë. Mendimi im personal është që të anëtarësimi duhet të jetë me detyrim, pasi ka vend për një risistemim të përfaqësimit të biznesit, por ky anëtarësim duhet të shoqërohet me shërbime dhe ndihmë reale. Nevojiten studime, pasi ne sot nuk kemi të dhëna mbi sektorë të caktuar të ekonomisë. Nëse nuk shoqërohet me analiza të tilla atëherë nisma nuk do të jetë eficente”, u shpreh Florian Zekja nga Shoqata Pro-Eksport në “E-ZONE”.

Sipas tij, kuota vjetore duhet të jetë një shumë simbolike që të mos rëndojë bizneset. Ndërsa mbetet për tu parë se cilat do të jenë shërbimet që do të ofrojë kjo dhomë.

“Në vendin tonë biznesi nuk ka kulturën e duhur për tu bërë bashkë, për të qenë të unifikuar. Mendoj se ende nuk është pjekur në këtë drejtim. Në sektorin tonë të manifakturës numërohen 760 ndërmarrje, por vetëm 260 prej tyre janë grupuar në shoqatë. Shumë prej tyre i zgjidhin hallet në mënyrë individuale”, sqaroi Zekja në Vizion Plus.

Rreth 8 vjet më parë qeveria prezantoi këtë nisëm, por ajo u kundërshtua fort nga komuniteti i biznesit, pasi u konsiderua si taksë./vizionplus.tv

Read Entire Article