6 miliardë euro është fondi që Bashkimi Europian ka caktuar për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027.
Qëllimi i kësaj ndihme të bllokut është përshpejtimi i integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Por si do të funksionojë ky plan? Mesazhi ishte i qartë: Kush i kryen reformat e parapara, i merr fondet. Ata që nuk punojnë, mbeten prapa. Për më shumë, asnjë vend nuk do të mund ta bllokojë tjetrin në këtë proces. Madje, nëse vërehen përpjekje të tilla, mund të ketë edhe ndëshkime. Ndër synimet kryesore të të ashtuquajturit “Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” është që të forcohet një treg i përbashkët rajonal, i integruar gradualisht me atë të BE-së.
Plani i prezantuar në nëntor të vitit 2023, dhe parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive. Nga secili vend kërkohet përgatitja e një axhende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të organeve të BE-së, para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Evropian. Thelbësore për të përfituar nga ky plan do të jenë në mënyrë të veçantë reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit.
Pritshmëritë janë që Parlamenti Europian t’i finalizojë të gjitha procedurat deri në prill, për të mundësuar lëshimin e fondeve sa më shpejt. Pagesat parashikohet të bëhen dy herë në vit, në varësi të rezultateve të shënuara në përmbushjen e kritereve. Fondet në parim, nga sa thekson REL, do të ndahen në varësi Prodhimit të Brendshëm Bruto, e nëse një vend nuk i kryen reformat pas 1 apo 2 vjetësh, atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera.
Top Channel