Të konsideruara si një prej destinacioneve turistike kryesore në vendin tonë dhe që mbyllën 2023-in me rekord numri të vizitorëve, Alpet dhe e gjithë zona malore e qarkut Shkodër do të kenë së shpejti hartat digjitale.
Ato do t’u vijnë në ndihmë turistëve kur eksplorojnë shtigjet malore, për të mos humbur rrugën dhe që të shmangen aksidentet e rrezikshme.
“Idea është që t’i ndërgjegjësojmë turistët dhe guidat që merren kryesisht me shoqërimin e tyre në Alpe për ato shtigje që janë të pamarkuara dhe janë të rrezikshme”, thotë Agim Dardha, drejtor i zonave të mbrojtura në Shkodër.
Administrata e zonave të mbrojtura po e zbaton këtë projekt pilot në Kelmend, për t’u shtrirë më pas në të gjithë zonën veriore. Këtë verë gati do të jetë harta digjitale Theth – Valbonë, një nga shtigjet më të eksploruara nga turistët.
“Në shumë bujtina janë vendosur harta digjitale ku shpjegohen elementët kryesore të një shtegu që janë shkalla e vështirësisë, rrezikshmëria dhe destinacioni mbërritës. Që thjesht me një telefon mund t’i skanosh”, thotë Dardha.
Paralelisht në këtë periudhë zonat e mbrojtura po mbahen nën monitorim për të shmangur prerjet e paligjshme të pyjeve dhe ndërtimet pa leje.
“Deri në pranverë pikësynimi ynë janë dy elemente: parandalimi i gjuetisë së paligjshme dhe prerjet abuzive të pyjeve”, shton Dardha.
Hartat digjitale do të jenë risia e sezonit të ri turistik veror, që pritet të ketë vit të shënojë një rekord tjetër sa i përket numrit të vizitorëve./vizionplus.