Çuçi-Bardhi, negociata për krizën, diskutohen komisionet hetimore dhe bashkëkryesimi i reformës zgjedhore

8 months ago 20

Duket se PS dhe PD e drejtuar nga Sali Berisha janë më afër se kurrë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në parlament prej datës 5 tetor të vitit të kaluar.

Negociatat kanë ditë që zhvillohen mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi.

Mësohet se të hënën, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka takuar kreun e grupit të PS Bledi Çuçi së bashku me krerët e grupeve parlamentare të opozitës: Gazment Bardhi, Dashamir Shehi e Mesila Doda për të diskutuar zgjidhjen e situatës së krijuar në parlament.

Bisedimet kanë vijuar ashtu siç ka vijuar edhe aksioni i opozitës për bllokimin e parlamentit qoftë të hënën, qoftë të enjten.

Megjithatë burime pranë PS e PD së drejtuar nga Sali Berisha bëjnë më dije se kompromisi është I mundshëm. Në lidhje me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore mësohet se është rënë dakord që të ngrihen 2 komisione pasi të rishihet objekti.

Por kjo është pjesa më e lehtë e negociatave pasi opozita tashmë e ka goditur ligjin e ri për komisionet hetimore në gjykatën kushtetuese dhe kritikat e saj do të marrin përgjigje nga kjo gjykatë.

Negociata më e vështirë mbetet reforma zgjedhore. PD e drejtuar nga Berisha kërkon të ketë udhëheqjen e kësaj reforme në emër të opozitës, duke i hequr Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt të drejtën e vetos. Mbetet për tu parë se si do të zgjidhet kjo çështje, tashmë që pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i mandatit të komisionit të posaçëm të reformës. Gjithashtu mbetet për tu parë nëse kjo marrëveshje do të vlejë për të gjitha ligjet, që kërkojnë 84 vota njësoj si reforma elektorale.

Kërkesa e 3 e opozitës duket se ka marrë zgjidhje në heshtje, pasi kushti që kryetar I grupit parlamentar të PD të njihet Gazment Bardhi e jo Lulzim Basha duket se është respektuar nga socialistët të cilët deri më tani njohin Bardhi si drejtuesit e grupit të PD.

Prej fillimi të krizës në parlament edhe ambasadorët kryesorë të akredituar në tiranë kanë bërë disa herë përpjekje për të gjetur rrugët e dialogut brenda dy kampeve në parlament. Pasi mazhoranca miratoi ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore që u kundërshtuan ashpër nga opozita, ambasadori britanik Alastair King-Smith zhvilloi një takim me Elisa Spiropalin e Klotilda Bushkën nga PS, dhe Gazment Bardhin e Enkelejd Alibeajn në përpjekje për të gjetur rrugën e dialogut e për të kthyer normalitetin në parlament.

Ambasadori i ri i delegacionit të BE gjithashtu ka qenë pjesë e përpjekjeve për dialog mes palëve.

Mbetet për tu parë nëse mazhoranca e opozita do të arrijnë marrëveshjen që kthen normalitetin në parlament apo bllokimi i seancave do të vazhdojë./vizionplus.tv

Read Entire Article