Dhoma shtetërore ekonomike, qeveria kërkon anëtarësim me detyrim për të gjitha bizneset

7 months ago 28
Reklamë

Qeveria i është rikthyer një nisme të vjetër, që është krijimi i një Dhome Shtetërore Ekonomike. Në një dokument të shpërndarë Shoqatave të Biznesit për konsultim, qeveria thotë se synimi është grupimi dhe përfaqësimi i interesave të sipërmarrëseve në një zyrë të vetme.  Nevoja e kësaj nisme vjen pasi bizneset, sipas qeverisë, deri më tani përfaqësohen me 180 dhoma ekonomike.

“Nisma duket utopike. Një zyrë e vetme shtetërore të mbrojë interesat e biznesit. Nëse kjo zyrë nuk prodhon çdo muaj një akt normativ apo një politikë të re që të zgjidhë  problemet e biznesit, atëherë ajo nuk është gjë tjetër veçse një barrë e shtuar për ne”,  shprehet Alban Zusi nga Shoqata Eksportuese.

“Nisma nëse miratohet është e gabuar, qesharake dhe e dëmshme. Ne kemi Ministri Ekonomie, Ministri Finance, Ministri Sipërmarrje, Këshill Ekonomik, Shtëpi Biznesi, Dhomë Tregtie e një sërë institucionesh të tjera publike, të cilat sot nuk zgjidhin hallet e biznesit”,  tha Gjergj Buxhuku nga konfindustria.

Sipas skenarit të qeverisë, bizneset do të anëtarësohem me detyrim dhe do të paguajnë një kuotë të caktuar në varësi të xhiros. Me detyrim do të anëtarësohen dhe bizneset e vogla. Por a është kjo nismën një takse të re?

“Nëse ky institucion nuk ka me detyrim që do të prodhojë një dokument çdo muaj kemi të bëjmë vetëm me një taksë të re”, sqaroi më tej Zusi.

“Është një taksë e mirëfilltë, pasi godet vullnetarizmin e anëtarësimit në një shoqatë si dhe fjalën e lirë për të bërë një oponencë ndaj politikave të gabuara të qeverisë”, shton më tej Buxhuku.

Në vitin 2016 qeveria e hodhi për konsultim një nisëm të tillë, por u tërhoq pas kundërshtimeve të forta të sipërmarrjes. Bizneset e konsideruan taksë të mirëfilltë, nga e cila nuk përfitojnë shërbime shtesë./vizionplus.tv

Read Entire Article