Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, do të zhvillojë në datat 16-18 janar turin 3 ditor rajonal: Kosovë- Maqedoni e Veriut – Mal i Zi.
Mbrëmjen e sotme ministri Hasani mbërriti në Kosovë, ku u prit nga homologia Donika Gërvalla. Vizitën e ka nisur nga kulla e heronjve “Gërvalla”, në prag të 42-vjetorit të vrasjes së tyre në një atentat nga kriminelët jugosllavë.
“I nderuar që vizitën në Kosovë ta nis nga Duboviku i Deçanit, në kullën e heronjve “Gërvalla”, pak ditë nga 42- vjetori i vrasjes në një atentat nga kriminelët jugosllavë, i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilët dhanë jetën në emër të lirisë së Kosovës”, shkroi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
Ditën e nesërme, në Kosovë, ministri do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjucfa, zv.Kryeministrin Besnik Bislimi dhe përfaqësues të partive politike.
Të mërkurën, Ministri Hasani do të pritet në Shkup, nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Kryeministri Dimitar Kovachevski, dhe zëvendëskryeministrat Artan Grubi dhe Bojan Marichic. Ministri Hasani do të zhvillojë takime edhe me liderët e partike politike shqiptare.
Në Mal të Zi, ditën e enjte, Ministri Hasani do të takohet në Podgoricë me homologun Filip Ivanoviċ, Presidentin Jakov Milatoviç, Zv/Kryeministrin, Nik Gjeloshaj dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe Kryetarët e partive politike shqiptare të Malit të Zi.
Turi synon të bëjë më përmbajtësor, thellojë dhe konkretizojë më tej bashkëpunimin mes vendeve, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Vizitat do të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian./vizionplus.tv