Hapen më shumë llogari bankare, Sejko: Qindra milionë euro në ekonomi pas anëtarësimit në SEPA

2 months ago 18
Reklamë

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një edukim më të lartë financiar të shoqërisë shqiptare. Sipas Guvernatorit Gent Sejko, numri i individëve me llogari bankare ka ardhur në rritje dhe paralelisht me të është rritur edhe numri i pagesave elektronike.

“Banka e Shqipërisë vëren me kënaqësi një rritje të ndjeshme të përfshirjes financiare. Kështu, bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit kombëtar të llogarive rezulton se në vitin 2023, rreth 78% e popullsisë adulte zotëron një llogari bankare dhe kjo shifër mund të arrijë deri në masën 85% nëse përfshihen dhe llogaritë e pagesave të ofruara nga institucionet e parasë elektronike. Rritja e përfshirjes financiare është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të pagesave elektronike. Më konkretisht, në vitin 2023, numri i pagesave elektronike për frymë arriti në 21, nga rreth 4 pagesa për frymë në vitin 2017. Rritje të konsiderueshme kanë paraqitur pagesat me kartë duke arritur në 11 pagesa për frymë në vitin 2023, nga 5 pagesa për frymë që ishte ky tregues në vitin 2020”, u shpreh Sejko.

Për të lehtësuar dhe përmirësuar më tej pagesat elektronike, Shqipëria aspiron të jetë pjesë e Sistemit Unik të Pagesave në Euro, SEPA,  duke përfituar veprime në euro me vendet e BE me më pak kosto.

“Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj.  Projeksionet janë që në afatmesëm ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA”, tha Sejko.

“Synojnë uljen e kostove të pagesave midis kufijve, modernizimin e tyre dhe akses më të mirë për qytetarët. Anëtarësimi në SEPA do të mundësojë jo vetëm kursim, por edhe rritje të parave që hyjnë në Shqipëri. Në shembuj konkretë, një biznes do të kursejë 10% nëse bën transfertë 5 mijë euro. Përmes kësaj iniciative po përpiqemi të ndihmojmë qytetarët të kenë mirëqenie”, tha Matija Latiç, menaxher në Bankën Botërore.

Më 12 qershor Banka e Shqipërisë firmosi zyrtarisht aplikimin për t’u anëtarësuar në SEPA, duke u bërë vendi i parë në rajon që e hedh një hap të tillë. /vizionplus.tv

Read Entire Article