“Kam një drejtor në Ministrinë e Bujqësisë”/ Ekspertja i mëson bizneset si të mashtrojnë për të fituar fondet IPARD nga AZHBR-ja

8 months ago 32
Reklamë

Lajmi se Brukseli pezulloi fondet për bujqësinë në verë, për shkak të abuzimeve të shumta, ishte si një rrufe në qiell të hapur për qeverinë shqiptare.

“Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false, etj”.

Por para se të dilnin në sipërfaqe këto në Janar të 2023 flitej se do të hapej IPARD III. Këtu merr zanafillën edhe denoncimi i Fiks Fare.

Malvina Kuqi pronare e fabrikës “Extra Farm Albania”, me kohëzgjatje në treg prej 7 në prodhim për blegtorinë iu drejtua Fiksit pikërisht për një mashtrim që i është bërë.

“Ne donim të merrnim një fond nga AZHBR, se kishim dëgjuar që ishte për bujqësi dhe blegtori. Donim të bënim kaparonin tonë që ne të fusim makineri të tjera. Të zgjerojmë aktivitetin. Filluam të interesoheshim për të bërë aplikimin. Na thanë se mund të ishim përfituar”, tregon zonja Kuqi.

Për të qenë përfitues i kishin rekomanduar që të lidheshin me një zyrë konsulente, për të plotësuar dosjen. Zyra më pas bënte edhe aplikimin.

“Konsulentja quhet Irena Shabanllari, kemi shkuar me ekstraktin e punës. Na tha se e përfitojmë. Duhet të bënim aplikimin. Na tha se të gjithë shumën e donte në fillim. Ok i thamë, se donim ta përfitonim. I kam bërë pagesën në bankë. Flitej se do hapej në janar IPARD 3, në vitin 2023. Shuma që paguam konsulenten ishte 6 mln lekë të vjetra. Ne nuk bëmë kontratë. Ne ramë dakord që ajo do bënte pjesën e saj”, vazhdon denoncuesja.

Konsulentja Shabanllari u kishte thënë se merrej me këtë punë dhe kishte bërë edhe shumë projekte të tjera që kishin rezultuar fituese. Kjo sipas denoncueses pasi konsulentja kishte njohje në zyrat e shtetit.

Vazhduan me bërjen e projektit dhe çdo gjë gati, por që aplikimi nuk u bë sepse nuk u hapë IPARD 3. Ndërkohë paratë u dhanë.

Më pas znj. Kuqi ka filluar të interesohej dhe vetë ku nga informacionet që mblodhi mori vesh që biznesi i saj nuk ishte fitues. Në këto kushte ka telefonuar konsulenten Irena Shabanllari dhe i ka pohuar se po tërhiqej nga AZHBR-ja dhe ka kërkuar mbrapasht pagesën prej 6 milion lekësh t’i kthehej me numër nipti, me bankë.

Pikërisht këtu fillon i gjithë kalvari. Znj. Shabanllari i ka thënë se do ia kthente por që kërkonte pak kohë. Ndërkohë që nga muaji mars që është bërë kjo pagesë në favor të konsulentes sot e kësaj dite këto lekë nuk i janë kthyer.

“Në gusht më ka njoftuar vetë. Në gusht më tha kam nxjerrë një kredi të madhe. Iku gushti, në shtator më thotë unë e kam të aprovuar kredinë po s’më është firmosur akoma. Tani më fik telefonin dhe e ka bllokuar. S’e di a ka ndërruar numër. Në shkrimet që bëj nuk i shkojnë mesazhet”, denoncon znj. Kuqi.

Nga verifikimi i Fiks Fare rezulton se ekspertja Irena Shabanllari kishte hapur në Qendrën Kombëtare të Biznesit 3 firma me shërbime konsulente në fushën e bujqësisë. Dy prej këtyre NIPT-eve ishin mbyllur dhe një ishte aktiv. Adresa e biznesit aktiv ishte në Shkozë, ku dhe denoncuesja dhe Fiksi e takuan.

Në bisedë me denoncuesen, konsulentja i shkruan se do ta zgjidhim si problem dhe se do të kthejë të gjithë shumën që ka marrë. Madje i thotë se i orientoi që të ndryshonin objektin në QKB që ata të përfitonin. Në telefon i ka shkruar disa herë se do t’ua kthej paratë, por serish i sorollat me arsyetimin se po tenton të marrë në kredi në bankë.

Pas takimit të parë, ekspertja i ka dërguar një mori mesazhesh justifikuese: “Do të marr një kredi të madhe, më prisni. I kam gati lekët”. Por, asnjëherë nuk vepron.

Denoncuesja bashkë me një gazetare të Fiks Fare e takojnë sërish.  Në këtë bisedë të dytë, ekspertja i tregon edhe skemën si përfitojnë fonde individë dhe firma të caktuar.

Ajo i kishte sugjeruar denoncueses të mbanin disa arka me domate dhe speca që të përfitojnë (pavarësisht se denoncuesja merret me prodhime blegtorale). Madje edhe lidhjet e saj në Ministrinë e Bujqësisë.

“Kam lidhje me një drejtor në Ministrinë e Bujqësisë”, i thotë ekspertja.

Fiksi kontaktoi me këtë eksperte, por deri më tani nuk ka pranuar të japë intervistë.

Top Channel

Read Entire Article