Ministri i Brendshëm, Taulant Balla njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se është gati një projektligj që shton kompetencat për Prefektin e Qarkut.
Ai theksoi se në këto ndryshime përfshihet edhe drejtimi i Këshillit të Sigurisë Publike.
“Gjithashtu, dua të ndaj me ju se po krijojmë edhe Këshillat Vendore të Sigurisë Publike, për të koordinuar më së miri të gjitha agjencitë ligjzbatuese që lidhen me sigurinë publike në çdo komunitet përgjatë zbatimit të paketës të sigurisë në shkolla. U kemi besuar prefektëve rolin drejtues në këtë proces dhe na ka rezultuar të jetë një rol efikas, por gjithashtu kemi identifikuar edhe disa ndryshime që lidhen me do të thosha unë, nevojën e rregullimit dhe të përcaktimit më qartë të vendimeve të Këshillave Bashkiak apo të akteve të tjera të Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat kalojnë përmes filtrit ligjor të Prefektit për ta reduktuar këtë numër në mënyrë që të lehtësojmë procesin e qeverisjes vendore, por pa harruar asnjëherë rolin shumë të rëndësishëm që ka Prefekti në këtë kontroll.”, tha ai.
I pyetur nga gazetarja e Vizion Plus, Enkeleda Mema nëse me ligjin e ri, Prefektit i jepet kompetencë që mund të kërkojë shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Balla u përgjigj: Ka qenë një informacion i rremë lidhur me këtë qasje. Qeveria ka të drejtën e rasteve të propozimit të shkarkimit dhe në ligjin “Për qeverisjen vendore” përcaktohet qartë si zhvillohet ky proces dhe që vendimin përfundimtar e jep Gjykata Kushtetuese. Pra nuk ka një lajm lidhur me këtë pretendim të ngritur në media dhe nuk është e shkruar në ligj, nuk është e vërtetë.
Ai theksoi se ky ndryshim ligjor do të shërbejë për një riorganizim të agjencive të vendore dhe bashkëpunimit të tyre./vizionplus.tv/