Deputeti Flamur Noka e ka cilësuar historike protestën e sotme të opozitës përballë kryeminsitrisë.
Ai theksoi se ky vërshim i qytetarëve ka frikësuar kryeministrin Rama dhe njerëzit e tij të korruptuar. Noka theksoi se sot opozita dhe shqiptarët nuk e njohin më Edi Ramën si kryeminsitër.
“Do të mbahet mend gjatë kjo ditë, do të mbahet mend gjatë ky moment. Jemi të bindur se ky moment do të hyjë në histori, me këtë vërshimë madhështor, i cili ka një qëllim, të ndërpresë projektin më të errët, skenarin më të zi, planin orgurzi të Ramës për asgjesimin e opozitës. Një person këtu që sundon prej 11 vitesh që ka kapur çdo zyrë pushteti, vjedh dhe blen votën, ndan pasuritë e vendit, është në krye të çdo afere, jep miliona euro familjarëve, udhëton si sheik me avion nga taksat tuaja, që bën një kopsht ktu mbrapa 4 milionë euro. Të gjitha i bën me paratë tuaja, i bën për tekat e tij personale. Sot me këtë vërshimin tuaj madhështor, ky person është i vetmi i palumtur, i trishtuar, i shqetësuar, sepse nuk ia doli dot të shkatërronte opozitën, atë që i prishi ëndrrën për mbretërim. Nuk ia doli të shkatërronte pengesën për mbretërimin e përjetshëm. Edhe pse na e burgosi liderin tonë, fund e krye pa prova, fakte, ne jemi për t’i thënë Ramës se opozita është këtu, është në këmbë, e papërkulur, e bashkuar, gjithë energji. Edhe pse korruptoi McGonigalin për non-gratën e Berishës, përsëri Rama nuk ja doli, pasi ne e kemi luftën për liri. McGonigal në SHBA u dënua për aferën me Ramën, në atë dosje Rama është edhe korruptues edhe i korruptuar. Sot i themi Ramës nuk të njohim më për kryeministër”, tha Noka.
Më tej Noka theksoi se sheshi do të jetë fundi i Edi Ramës. Ai tha se për kreun e qeverisë do të nisë një periudhë e keqe dhe e papërballueshme, pasi do të japë llogari për çdo cent.