Futja e mollës në treg nga vendet e rajonit dhe kryesisht nga Serbia ka paralizuar grumbulluesit në Korçë të cilët edhe pse po tregohen të gatshëm për të shitur nën kosto nuk po gjejnë asnjë hapësirë duke rrezikuar dëme të konsiderueshme ekonomike.
Petro Çobani, prodhues dhe grumbullues i mollës në fshatin Zvirinë ka arritur që të shesë vetëm 5 % nga e gjithë sasia që ka në frigoriferin e tij. Ndërsa i mbeten vetëm dy muaj kohë para se molla të kalbet ai tregon se ka të paktën 400 tonë mollë të varieteteve të ndryshme për të cilat nuk ka mundur të sigurojë treg për shkak të konkurrencës nga importi.
Këtë vit molla u grumbullua me 70 lekë/ kg çmim të cilit i shtohen kostot e krahut të punës, magazinimit duke e çuar deri në 90 lekë/ kg ndërkohë që grumbulluesit nuk kanë mundur të likuidojnë fermerët për shkak se i gjithë prodhimi ka mbetur stok.
Në Korçë janë 15-20 mijë ton mollë të pashitura, ç’ka ka bërë që fermerët dhe grumbulluesit të protestojnë duke kërkuar aplikimin e disa politikave lehtësuese nga qeveria por deri tani ndaj kërkesave të tyre nuk është marrë asnjë reagim.
Top Channel