Operatorët tregojnë se kush janë turistët që mungojnë këtë verë dhe arsyet

1 month ago 74
Reklamë

Rrahman Kasa, kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, thotë se muaji qershor-korrik po rezulton me një rënie të fluksit të turistik me 30%. Konkretisht për strukturat akomoduese, të cilat  tregojnë se ka shumë dhoma të lira në këtë kulm sezoni. I ftuar në emision “E-ZONE” në Vizion Plus, Kasa thotë se kush janë turistët që po mungojnë këtë sezon.

“Ne dimë që strukturat akomoduese të mira, me standard frekuentohen nga turisti që vjen nga Tirana, nga të huajt dhe nga kosovarët. Këtë sezon, më saktë këto dy muaj vere, të tre këto tipologji biznesi mungojnë në bregdetin shqiptar. Më konkretisht mungojnë nga Vlora deri në Sarandë, pasi Durrësi nuk është i prekur nga ky fenomen”,  sqaroi Rrahman Kasa, kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë.

Sipas tij arsyeja kryesore janë  çmimet abuzive që ofrohen nga bizneset. Ai thotë se Shqipëria është e rrethua nga vende që kanë një historik të gjatë dhe të qëndrueshëm turistik, ndaj çdo gabim shkon në favor të tyre.

“Për mua gabimi i vetëm janë çmimet që ofrojnë hotelet. Çmimi mesatar për dhomë në jug të vendit shkon nga 200-300 euro në natë. Një çmim i tillë konsiderohet i lartë dhe mbi të gjitha gjendet në vende si Francë, Itali etj. Ndërkohë vendi fqinjë Greqia, jo vetëm që nuk ka rritje abuzive çmimesh, por përkundrazi ka oferta që po joshin çdo ditë shqiptarët të kalojën pushimet jashtë kufirit”,  tha Kasa në Vizion Plus.

Realiteti që po ofron ky sezon veror sipas operatorëve është një sinjal jo pozitiv për vitin e ardhshëm, pasi tani nisin negociatat për kontratat që lidhen për sezonin 2025./vizionplus.tv

Read Entire Article