Valeri teksa po bisedonte me Robertin tregoi më shumë rreth jetës së tij personale dhe arsyes pse ai nuk largohet nga Malësia e Madhe.
Siç tregoi, ai erdhi në Tiranë për të studiuar, por pasi përfundoi universitetin u rikthye sërish në Malësinë e Madhe.
Valeri tha se pasi ai u rikthye, familja e tij kaloi disa vështirësi ekonomike, por arriti të stabilizohej pasi filloi punë.
Gjithashtu fermeri tregoi arsyen pse ai vendosi të mos largohej nga Malësia e Madhe.
Ai tha se pas vdekjes së vëllait, familja e tij vendosi të mos largohej asnjëherë pasi nëna e tij ndihej sikur po braktiste të birin.
Ai shtoi se nëse fëmijët e tij një dite vendosin të largohen, nuk do t’i pengojë ata.
“Erdha në shkollë në Tiranë, babai im ishte mësues historie-gjeografie dhe më pas u bë kryetari i komunës, në kohën kur kishte më shumë investime se kurrë. Por më i varfër doli sesa hyri. Ndërsa unë erdha si student në Tiranë për mjekësi, pasi përfundova 6 vite u riktheva në vendin tim. S’kisha shtëpi mbi kokë. Prishëm kullën me idenë që do të kishim mundësinë për të bërë diçka, por jeta të sjellë ndonjëherë disa gjëra. Unë fillova punë më pas dhe shtëpia është pothuajse e përfunduar. Pastaj me dy punësim, unë kam vendos që i vogël të mos largohem kurrë nga ai vend. Edhe prindërit e mi sepse aty ka vdekur vëllai dhe nëna nuk do të largohet që aty. Kur na tha daja të shkonim në Amerikë, nëna nuk pranoi sepse tha më duket sikur i kthej shpinën. Ajo na tha ti mund të shkosh, ju mund të shkoni, por unë nuk largohem. Gjithashtu, edhe unë rash dakord të mos largohem, pasi kam gjithcka këtu që më duhet. Nëse fëmijët e mi vendosin të largohen nuk i pengoj, por do doja që të paktën njëri të qëndroj me mua. Sërish ia kam lënë atyre në dorë”, tregoi Valeri /vizionplus.tv/