Rriten lehtë kreditë e këqija, rregullore e re për shoqëritë financiare jo banka

2 months ago 32
Reklamë

Niveli i kredive me probleme u rrit lehtë në muajin prill, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke treguar për një përkeqësim të aftësisë paguese të kredimarrësve, në raport me muajin mars.

“Nuk mendoj se është shqetësuese sepse është një rritje shumë e lehtë e kredive me probleme. Mesa duket ky efekt ka ardhur si rezultat i mospagesës në kohë ose i mospagesës brenda afatit të caktuar të disa kësteve të kredisë nga bizneset dhe qytetarët. Çdo tejkalim në kohë për pagesën e një kësti kredie të caktuar riklasifikohet si kredi me probleme. Mendoj se është një element i çastit. Rritja e normave të interesit për kreditë, që vjen si pasojë e rishikimit të politikës monetare, mund të jetë një element që ka ndikuar”, tha Adrian Civici, ekspert i tregut bankar.

Për të mbledhur kreditë e këqija, edhe në rastet kur shoqërive për blerjen e tyre u hiqet licenca, siç ndodhi me subjektet “Final” dhe “Microcredit Albania”, Banka e Shqipërisë ka bërë disa ndryshime në rregullore, duke detajuar procedurën që ndiqet.

Sipas rregullores, në situata të tilla Banka Qendrore bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë për të emëruar një likuidator tjetër, i cili ka për detyrë të mbledhë kreditë e pashlyera sipas një plani likuidimi, duke ruajtur provat për çdo veprim.

“Ndryshimet e fundit në rregullore janë një element i rëndësishëm për të eliminuar ose përmirësuar veprime nga shoqëritë e mikrokreditit. Bëhet fjalë për ato që janë licencuar edhe për të blerë ose shitur kreditë e këiqja nga bankat tregtare në Shquipëri9. Mendoj që kjo rregullore e re është një hap më tej për ta parandaluar dhe për të vendsour nën kontroll sistemin e shoqërive financiare jo banka, që ushtrojnë aktivitet kreditues dhe ata që kanë licencën për të blerë kredi. Mendoj që procesi i mbikëqyrjes të shoqërive financiare po shkon drejt përmirësimit, kompletimit duke mbrojtur interesat e konsumatorit për të vënë disa kufizime për normat e interest”, tha Civici.

Personi i ngarkuar për likuidimin e kredive ka detyrimin të raportojë minimalisht një herë në muaj pranë Bankës së Shqipërisë  për ecurinë e procesit dhe nëse ai nuk e kryen detyrën siç duhet, shkarkohet nga Banka Qendrore./vizionplus.tv

Read Entire Article