Prerazi, kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj JO, aludimeve të deputetit Flamur Noka se është i ndikuar nga politika. Sipas ligjvënësit Prokuroria Speciale ka shkelur kushtetutën në rastin “Berisha”.
“Si kam pasur duart e lidhura në 2008 dhe as në 2023. Jam prokuror nuk jam drejtues. Me këtë funksion e lidh veten time. Politika nuk ka shans të më ndikojë kush mua në punën time. 0 shanse në punë time dhe të kolegeve të mi. Ajo është çështje në hetim nuk mund të prononcohem. Çdo vendim është i kontrollueshme nga sistemi gjyqësor. Drejtësia nuk i mund të sfidohet dhe nuk jam peng i askujt”, tha Dumani.
Gjatë raportimit në komisionin e ligjeve, Dumani tha se është e rëndësishme që të rishikohet ligji për lejimin e kontrollit të banesave të deputetëve.
“Nuk mund të ngopim orekset politike apo mediatike, ka rëndësi prova. Pak kërkesa kemi për imunitetin… ne nuk i kemi duart e lidhura për të hetuar një person që ka imunitet, momenti tjetër është heqja e imunitetit…. kërkesa mund të jetë heqja e imunitetit për koontrollet… se që të faktosh, duhet të kontrollosh…”, tha Dumani.
Lidhur me operacionin “Revanshi” , ku u firmosën 50 fletëarreste, Noka u shpreh i bindur se ai është dekonspiruar.
“Lezha ziente e gjithë se do shkonit të kontrollonit banesën e Arben Ndokës”, u shpreh Noka.
“Si mund të shkosh kaq larg sa të aludosh se prokurorët që hetuan ccështjen të nxjerrin sekretin. Është fyese, denigruese, të denigrosh hetimet që kemi punuar me mish e me gjak 8 me 8. Nuk më akuzon mua policia, ska shanse. Ti e ke me të dëgjuar unë kam prova”, tha Dumani.
Megjithatë, Dumani nuk e la jashtë zhgënjimin me disa zyrtarë policore të shtetit që janë vënë pas hekurave ose shpallur në kërkim.
“Na kanë rezultuar drejtues të lartë të policisë së shtetit të lidhur me krimin, është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin e organizuar”, tha Dumani.
Sa i takon fragmentarizmit të dosjes së inceneratorëve, Dumani përgjigjet:
“Ka nisur që në 2020, unë isha prokuror, pjesa e posaçme e krimit të organizuar. Hetimi vazhdon dhe është në fazën më dinamike të tij. Bonusi 8 % është nën hetim. Nuk jap vlerësim, vetëm në fund, kur ngrijmë apo në pushojmë një akuzë”, tha Dumani.
Gjatë vitit 2023 SPAK ngriu 41 milionë euro pasuri të ardhura nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
“Tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare, grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Në Fushë-Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese si dhe makinat e vjedhura të cilat pastaj përdoren në ngjarje kriminale”, u shpreh Dumani.
Me perfeksionimin e punës së organizatave kriminale, ata kanë gjetur edhe mekanizmat për pastrimin e parave sidomos përmes bankave.
“Investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike kryesisht në Vlorë, Durrës, Lezhë. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.
Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave”, tha Dumani.
Drejtuesi i SPAK tha se në janar të vitit tjetër, që është edhe vit zgjedhor pritet të dalin me një strategji konkrete që do të shmangë kryerjen e këtyre krimeve./vizionplus.tv/