Skenarët e protestës së opozitës! Berisha do flasë nga dritarja, tubimit i bashkohen aleatët, por mungon Meta

8 months ago 16

Në orën 17:30 opozita do të zhvillojë protestën e parë për këtë vit kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Tubimi i opozitës ka disa risi, kjo është protesta e parë pa liderin historik të demokratëve, Sali Berishën, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, por nga ana tjetër ky është tubimi i parë i Partisë Demokratike të bashkuar dhe opozitës së bashkuar me 11 parti që kanë krijuar federatën e forcave politike të opozitës.

Lexo edhe :

Related Posts

Mësohet se të gjithë deputetët demokratë do të nisen nga selia e PD drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke përcjellë kështu mesazhin e bashkimit të PD.

Po në frymën e bashkimit para protestuesve do të flasë kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, i cili për herë të parë merr pjesë në një protestë të thirrur nga Sali Berisha, sikundër mesazhe për protestuesit do të japin Flamur Noka, Luçiano Boçi e politikanë të tjerë të opozitës.

Lideri i opozitës Sali Berisha do të mbyllë protestën me fjalimin që do të mbajë nga dritarja e shtëpisë së tij e që do të transmetohet në ekranin e vendosur para selisë së kryeministrisë.

Në protestë do të jenë për herë të parë edhe të gjithë aleatët e PD, por do të mungojë Ilir Meta e Monika Kryemadhi, të cilët ndodhen jashtë vendit.

Prej ditësh figurat kryesore të PD u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin sot në protestë kundër qeverisë Rama, duke përmendur si motiv kryesor korrupsionin, situatën e vështirë ekonomike, pagat e pensionet e ulëta, largimin e shqiptarëve nga vendi.

Por gjithashtu demokratët ka deklaruar se protesta sot është edhe kundër mbylljes së hapësirave për opozitën në parlament si dhe kundër institucioneve të sistemit të drejtësisë, të cilat të paktën sipas Sali Berishës janë vendosur në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Për herë të fundit para selisë së qeverisë demokratët kanë protestuar në 3 marsin e vitit të kaluar, në ditën kur gjykata e Apelit ia hoqi Sali Berishës të drejtën për të pasur logon dhe vulën e Partisë Demokratike. /vizionplus.tv

Read Entire Article