“Ulen investimet në Tiranë”, opozita: Veliaj rrit shpenzimet vetëm për administratën dhe inceneratorin

7 months ago 23
Reklamë

Përfaqësuesit e opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës kanë akuzuar Erion Veliajn se ka rritur shpenzimet për administratën dhe ka ulur investimet për banorët e kryeqytetit. Pas mbledhjes së këshillit bashkiak, e cila u mbyll brenda pak minutash, anëtarët e zgjedhur me votat e demokratëve kanë dalë në konferencë për gazetarët për të analizuar buxhetin e Tiranës për vitin 2024 e për të shpjeguar ku shkojnë taksat që paguajnë banorët e kryeqytetit.

“Të vetmet shpenzime që janë rritur janë rritur shpenzimet për administratën, si dhe janë rritur për inceneratorët. Këta janë tri zërat e vetëm për të cilët janë rritur shpenzimet në 2024-ën nga bashkia e Tiranës. Po për çfarë janë ulur shpenzimet në Tiranë?! Janë ulur për arsimin bazë, për fëmijët tanë. Janë ulur për të rinjtë. Çdo shërbim që i shërben qytetarit ka pasur rënie në buxhetin 20024 dhe çdo shërbim që i shërben xhepave të pak njerëzve kanë pësuar rritje, duke nisur nga inceneratori i pari, ku nuk ka asnjë tullë të vetme të vendosur.” 

Opozita ka akuzuar kreun e bashkisë së Tiranës, Veliajn, se nuk respekton ligjin për mbledhjet e këshillit bashkiak dhe i shmanget llogaridhënies për çështje që prekin banorët e kryeqytetit.

“Kryetari i bashkisë, që paturpësisht refuzon të bëjë transparencë  për qytetarët se si e ka shndërruar Tiranën në krematorium me nivele alarmante të ajrit të ndotur dhe të gjitha këto përpiqet që t’i censurojë në mënyrë të pashembullt”

Opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë betejën në këshillin bashkiak të Tiranës, duke kërkuar transparencë e llogaridhënie për çdo vendim duke theksuar se bojkot nuk do të ketë pavarësisht qasjes së kryebashkiakut Veliaj.

Read Entire Article