Ulja e normës së interesit, ekspertët: Lehtëson kreditë, stabilizon kursin e këmbimit

2 months ago 28
Reklamë

Nga Mimoza Ibra 

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit për lekun nga 3.25% në 3% për ekspertët ishte i pritshëm, duke marrë në konsideratë të dhënat e inflacionit, ato të rritjes ekonomike dhe qetësimin e tregjeve të huaja.

Ky vendim pritet të pasohet me ulje të normave të kredive në lekë, qoftë për ato ekzistuese, ashtu edhe për kreditë e reja.

“Ulja e normës bazë të interesit nënkupton një ulje të kostos ose çmimit të lekut. Krijohen mundësi më të mëdha lehtësuese që paraja të hyjë më me shumicë dhe më lehtësisht në qarkullim. Ndikimi kryesor është te norma e interesit të kredive në lekë sepse ulja e normës bazë të interesit duhet të shoqërohet edhe me uljen e interesit të kredisë. Kredia në lekë bëhet më e aksesueshme, më të lirë për t’u marrë dhe shkon brenda tendencës që ne kemi sot për rritjen e kredisë në lekë”, shprehet Adrian Civici, ekspert i tregut bankar.

“Për kreditë ekzistuese dhe që kanë një normë të luhatshme në kontratë, është një lajm i mirë sepse është një ulje e normës së interesit dhe një ulje të pagesave të kësteve të kredive. Është lajm i mirë edhe për ata që do të marrin kredi të reja, do ta marrin me një normë më të ulët, pak më të leverdishme. Është edhe një normë që favorizon investimet, favorizohet konsumi”, thotë Mateo spaho, ekspert i tregut bankar.

Ekspertët shpjegojnë se duke u ulur norma bazë e interesit, do të ketë më shumë lekë në qarkullim dhe për pasojë, kjo pritet të ndikojë edhe në kursin e këmbimit, duke zhvlerësuar lehtë monedhën vendase në raport me euron.

“Në një këndvështrim më të gjerë, vendimi ka ndikim edhe te amortizimi i kursit të këmbimit. Ky zgjerim i ofertës monetare në lekë ndikon pozitivisht edhe në ekuilibrin e lekut me euron, duke qetësuar disi edhe kursin e këmbimit”, tha Civici.

“Fakti që BSH e merr një vendim të tillë në sezon veror turistik, nënkuoton që ai likuiditet nuk është aq i madh ose që BSH vlerëson që duhet të ketë një sasi më të madhe të parasë në treg. Munge4sa e prezencës së tij ka bërë që në vijimësi euro të zhvlerësohet në raport me lekun. Kjo mund të shihet edhe një tentativë për të dobësuar pak lekun sepse kështu bizneset prodhuese bëhen sërish konkurruese në treg”, tha Spaho.

Njohës të fushës vlerësojnë se tashmë kemi hyrë në një fazë të re rënëse të normës bazë të interesit dhe presin që në vijim të ketë disa vendime të tjera të ngjashme nga ana e Bankës së Shqipërisë.  /vizionplus.tv

Read Entire Article