Dëshmon në gjyq Leonard Duka, mohon porositjen e vrasjes së ish policit Santiago Malko

3 hours ago 19

Pasi u ekstradua nga Belgjika në Shqipëri Leonard Duka, kreu i “Klanit Duka” dëshmoi përpara togave të zeza të gjykatës së posaçme për vrasjen e ish- policit Santiago Malko.

37-vjeçari dha shpjegime për akuzën që rëndon mbi të atë të porositjes së vrasjes së efektivit në gusht të vitit 2019, gjë të cilën e mohoi kategorikisht. Lajmin e vrasjes së tij, Duka thotë se e mori vesh nga policia, ndërsa të ndjerin tha se e njihte si shok lagjeje.

“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokal te biznesi im, në orën 10 mbylla lokalin, duke ikur për në shtëpi më shoqëroi policia. Si çdo ditë tjetër kemi ngrëne drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën. Isha me vëllain, Ervin Dukën në makinë, bëri shenjë policia dhe shkuam në polici. 15 vjet më parë ndodhi njohja jonë. Para 15 vitesh kam qenë në shkollë, vërdallë. Nga shoqëria e përbashkët na ka ra me e njoh se Shqipëria e vogël është. Jemi nga një zonë, unë jetoja në Fresk, ai në lagjen tjetër. Po të citoj gjithë emrat e lagjes janë 200 veta. Gjithë zonën e njoh, të gjithë njihemi me njëri-tjetrin”, tha Duka.

Duka nuk e mohoi nga ana tjetër njohjen dhe shoqërinë e gjatë më të zhdukurin Ervis Martinaj, “Mbretin” e lojërave të fatit, por pranoi se raporti i tyre përfundoi në 2017.

“Kur e takova Santiago Malkon tre vjet para ngjarjes, nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj. Visin e kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet.  Por e kam ruajtur respektin për të. Unë kam pasur bizneset e mia, ai të vetat. Edhe ai ka pasur bastet e veta. Pasi u ndamë nuk e di ç’ka bërë. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi. Kur jemi takuar herë të tjera, nuk kemi qenë bashkë por me miq të përbashkët. Nuk ua mbaj mend emrat. Jemi takuar nëpër club-e, locale,” shtoi ai.

Gjyqtarja, Rudina Palloj, kërkoi qetësi nga Duka, i cili një moment ofendoi prokurorin Behar Dibra, duke i thënë i paaftë që e mbajti në kërkim prej 6 vitesh, ndonëse ai nuk ka bërë asgjë. /vizionplus.tv

Read Entire Article